NATO pret që Rusia të kryejë një sulm “shumë të përqendruar” në lindje të Ukrainës, me synimin për të kapur të gjithë rajonin e Donbasit, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

“Tani shohim një lëvizje të konsiderueshme të trupave larg Kievit për t’u rigrupuar, riarmatosur dhe rifurnizuar, dhe një zhvendosje në fokus në lindje,” u tha ai gazetarëve në Bruksel.

“Në javët e ardhshme ne presim një shtytje të mëtejshme ruse në Ukrainën lindore dhe jugore, në përpjekje për të marrë të gjithë Donbasin dhe për të krijuar një urë tokësore për në Krimenë e pushtuar”.

Separatistët pro-rusë tashmë kontrollojnë pjesë të rajonit të Donbasit. Luftimet kanë vazhduar atje që nga viti 2014 dhe presidenti rus Vladimir Putin njohu zyrtarisht dy rajonet separatiste Luhansk dhe Donetsk si republika të pavarura, pak para fillimit të pushtimit të fundit.
“Pra, kjo është një fazë vendimtare e luftës”, paralajmëroi Stoltenberg.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do t’i bashkohet ministrave të jashtëm të NATO-s për një samit në Bruksel të enjten, në të cilin aleatët do të “diskutojnë se çfarë mund të bëjnë më shumë” ndërsa Ukraina “përballet me këtë ofensivë të re”, tha Stoltenberg.

“Aleatët tanë janë të vendosur të ofrojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën, duke përfshirë armët antitank, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb