Afrika mund të bëhet epiqendra tjetër e shpërthimit të koronavirusit, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH). Deri më tani ka patur pothuajse 1.000 vdekje dhe pothuajse 19,000 infeksione në të gjithë Afrikën, megjithëse këto nivele janë shumë më të ulëta se ato që shihen në pjesë të Evropës dhe SH.B.A. OBSH thotë se virusi duket se po përhapet larg kryeqyteteve afrikane. Ajo ka theksuar gjithashtu se kontinenti nuk ka ventilatorë të mjaftueshëm për t’u marrë me një pandemi. Ka pothuajse 19,000 raste të konfirmuara në Afrikë dhe të paktën 970 vdekje të konfirmuara në të gjithë kontinentin, i cili ka një popullsi prej rreth 1.3 miliardë.

Afrika e Veriut është rajoni i prekur më keq. Algjeria, Egjipti dhe Maroku kanë pasur të gjithë më shumë se 2,000 raste dhe të paktën 100 vdekje. Algjeria ka pasur më së shumti vdekje, me 348. Afrika e Jugut gjithashtu ka pasur më shumë se 2,000 raste, me 48 vdekje, ndërsa kombi më i populluar i kontinentit, Nigeria, ka pasur 442 raste dhe 13 vdekje të konfirmuara nga një popullsi prej rreth 200 milion. Drejtori i OBSH-së në Afrikë, Dr Matshidiso Moeti i tha korrespondentit të BBC Global Health, Tulip Mazumdar se udhëtimet ndërkombëtare janë të rëndësishme. “Nëse shikoni përqindjen e njerëzve që udhëtojnë, Afrika ka më pak njerëz që udhëtojnë ndërkombëtarisht,” tha ajo. Por tani që virusi është brenda Afrikës, ajo thotë se organizata e saj po vepron nën supozimin se do të përhapet po aq shpejt sa gjetkë.

OBSH ka qenë dëshmitare e virusit që përhapet nga qytetet e mëdha në “rrethinat” në Afrikën e Jugut, Nigeri, Bregun e Fildishtë, Kamerun dhe Ganë, tha Dr Moeti.Ka rreth 15 vende afrikane ku virusi nuk është përhapur deri më tani, nëse këto vende marrin masa të forta për distancimin shoqëror, ato mund të përmbajnë virusin, shtoi ajo.

Parashikimet e përkohshme nga OBSH sugjerojnë se më shumë se 10 milion njerëz mund të infektohen në 3-6 muajt e ardhshëm, por kjo shifër nuk merr parasysh masat e shëndetit publik që janë duke u zbatuar.

Nëse Covid-19 është në gjendje të mbajë kontrollin e kontinentit, pasojat mund të jenë shumë më shkatërruese sesa kemi parë në Evropë dhe SH.B.A., thotë korrespondentja. OBSH thotë se ekzistojnë vetëm rreth pesë shtretër të kujdesit intensiv në dispozicion për çdo një milion njerëz në shumicën e vendeve afrikane, krahasuar me rreth 4,000 shtretër për çdo milion njerëz në Evropë.

Dr Moeti tha që OBSH ishte është përqëndruar në parandalimin sesa në trajtimin e virusit sepse shumë vende afrikane nuk kanë aftësi për të trajtuar shumë pacientë me koronavirus. “Ne duam të minimizojmë përqindjen e njerëzve që arrijnë deri në atë pikë që kanë nevojë për kujdes kritik”. Ekzistojnë gjithashtu frika se sëmundja mund të përhapet me shpejtësi në zona të mbingarkuara, ku është e pamundur të praktikohet distanca sociale dhe ku shumë prej tyre nuk kanë as ujë të pastër dhe sapun.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: