Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku në një lidhje live me skype për rubrikën “Opinion”News24 foli për paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Buxhuku u shpreh kundër deklaratave të Ramës, ku renditi arsyet pse nuk duhet të ndodhë një rritje e çmimit të energjisë elektrike, por mundësisht të ulet. Sakaq ai tha se mund të jetë një skenar për të mbuluar rritjen e pagave të administratës shtetërore.

“Fakti është që rihedhësh në diskutim rritjen e çmimit të energjisë në këto kushte, është një gjë që ia vlen të shqetësohemi. Çudia është që u hodh në një moment që duke pasur parasysh rënien dramatike të çmimeve të energjisë elektrike në rang botëror dhe prodhimi i energjisë nga kapacitetet tona kanë qenë e mirë, tingëlloi e papritur dhe serioze.

Në vitin 2021, Shqipëria ka prodhuar mbi 6% më shumë energji elektrike seç ka qenë nevojat e vendit. Mund të them që në tre mujorin e parë të këtij viti, vetëm nga kompanitë publike prodhimi ka qenë më i lartë. Dhe kjo është vetëm 50% e prodhimit total të vendit.

Ka mungesë të transparencës. Problemi është që blerjet nuk bëhen përmes bursës. Më tepër preferohen të bëhen transaksione të mbyllura, sesa të hapura. Qeveria duhet të jetë e hapur të bëjë analiza të thelluara që të thotë se s’kemi probleme me energjinë elektrike. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Që ekonomia ka probleme serioze të strukturës kjo s’ka dyshim. Do isha i kënaqur që rritjet e pagave të vinin nga rritja e ekonomisë. Ekonomia shqiptare ka problematika serioze. Ne rrisim pagat dhe njëkohësisht hedhim në tavolinë idenë e rritjes së çmimet të energjisë elektrike. Mund të jetë edhe për të kompensuar rritjen e pagave të administratës shtetërore.

Reagimi i takon të gjithë qytetarëve dhe institucioneve. Bizneset do të goditen rëndë. Analizat tregojnë se Shqipëria duhet të ishte në një moment të favorshëm për të diskutuar për uljen e çmimit dhe jo rritjen.”, u shpreh Buxhuku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb