Konferenca botërore për klimën në Egjipt nis me paralajmërimin se nuk ka vend për vonesa në luftimin e ndryshimeve klimatike.

Në fillim të konferencës botërore për klimën COP27 në Egjipt, ku do të diskutohet se si mund të ndalet ngrohja globale, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Samih Shukri, që është edhe kryesuesi i Konferencës së 27-të Botërore për Klimën në Sharm el-Sheikh tha në një deklaratë për shtyp, se nuk ka vend për vonesa në luftimin e ndryshimeve klimatike.

Paralajmërimi i tij drejtuar komunitetit botëror që më në fund të veprojë më me vendosmëri për të “shpëtuar jetë dhe bazat e jetës” në krizën klimatike duhet të përfshijë edhe vendin e tij. Sipas “Emissions Gap Report” të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) bota aktualisht po shkon drejt një ngrohjeje globale prej 2.8 gradësh deri në fund të shekullit.

Gjermania: Frenimi i ngrohjes globale prioritet kryesor

Prandaj Gjermania e quajti frenimin e ngrohjes globale prioritetin e saj kryesor. “Njerëzimi po shkon drejt një humnere, drejt ngrohjes mbi 2.5 gradë, me efekte shkatërruese mbi jetën tonënë të vetmin planet që kemi”, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Bota i ka të gjitha mjetet që i nevojiten për të kufizuar krizën klimatike. “Ne e dimë se çfarë duhet bërë – të heqim dorë nga energjia fosile dhe të bazohemi tek burimet e energjetike të rinovueshme sa më shpejt të jetë e mundur.”

Në konferencën e 27-të Botërore për Klimën, e cila zhvillohet në Afrikë për herë të parë që nga viti 2016, priten 40,000 pjesëmarrës. Në COP27 përfaqësuesit e rreth 200 vendeve do të diskutojnë në Sharm el Sheikh për dy javë se si mund të rritet lufta kundër ngrohjes globale. Koha nuk pret, pasi shtatë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat që nga fillimi i regjistrimeve të motit. Ngjarjet ekstreme të motit në Pakistan, Nigeri dhe Somali, kanë treguar ndër të tjera kohët e fundit dëmin e madh dhe fuqinë shkatërruese vdekjeprurëse të ndryshimeve klimatike.

Solidaritet me vendet më të varfra

Svenja Schulze, ministre për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, tha: “Në këtë konferencë klimatike, Gjermania do të jetë një ndërtues i rëndësishëm urash midis vendeve të industrializuara dhe atyre në zhvillim. Për ta bërë këtë ne duhet të pranojmë se tashmë ka dëme të konsiderueshme klimatike, veçanërisht në vendet më të varfra. Këto vende me të drejtë kërkojnë solidaritet.”/DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb