Mbajtja e një konference dy ditore në kampin Ashraf në Manzë ka bërë që të shtohen masat nga autoritetet pas një paralajmërimi të bërë nga ambasada Amerikane për ndonjë sulm të mundshëm. Çdo automjet që i drejtohet kampit kalon në një kontroll te imtësishëm me detektorë.

Përfaqësuesit e opozitës iraniane që gjenden në këtë kamp pohojnë se konferenca do të mbahet dhe pjesëmarrja do të jetë e lartë.

Në një komunikatë të shpërndarë për mediat thuhet se fashizmi fetar iranian në 40 vitet e fundit nuk ka reshtur së bëri çdo gjë kundër muxhahidëve, nga masakra e të burgosurve te terrorizmi dhe vrasjet. “Shpërthimi i vitit 2018 në Villepinte nga diplomatët në shërbim është një shembull. Prandaj, kërcënimet e regjimit fetar nuk janë të reja për ne. Të gjithë janë informuar për kërcënimin e paralajmëruar nga ambasada amerikane. Vitin e kaluar morën pjesë online 50 mijë pikë nga 105 vende. Këtë vit kushdo që dëshiron mund të marrë pjesë online dhe konferenca do të mbahet gjithsesi”, thuhet në reagimin e zyrtarëve të kampit Ashraf 3 në Manëz të Durrësit.

Mbrëmjen e djeshme ambasada e SHBA paralajmëroi përmes një njoftimi se ka një kërcënim për një sulm të mundshëm terrorist në një aktivitet që zhvillohet në kampin e muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit. Ambasada e SHBA i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të shmangin këtë ngjarje, të monitorojnë mediat lokale, të mbajnë profil të ulët (të mos bëjnë postime në rrjete sociale) dhe të jenë të vetëdijshëm për çfarë i rrethon.

Ndërkohë pasditen e sotme, u njoftua se Samiti Botëror i Iranit të Lirë, i planifikuar për t’u mbajtur në datat 23 dhe 24 korrik në kampin “Ashraf 3”, në Manzë të Durrësit është vendosur të shtyhet.

Sipas një njoftimi nga kampi i MEK samiti do të shtyhet deri në njoftimin e mëtejshëm me rekomandime të qeverisë shqiptare, për arsye sigurie dhe për kërcënime e komplote terroriste.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb