Ashtu siç ishte përcaktuar, sot u zhvillua takimi mes një grupi të mjekëve të QSUT-së me përfaqësues të zyrës së bashkëqeverisjes dhe të Ministrisë së Shëndetësisë në ambientet e qendrës për hapje dhe dialog (COD) në Kryeministri.

Në një lidhje direkte për ‘News24’ nga Kryeministria, gazetari Erjon Skëndaj pohoi se një grup prej 4 mjekësh, konkretisht Gentian Stroni, Altin Kuqo, Fatos Olldashi, Arjan Harxhi si dhe Arjan Mezini, u paraqitën në këtë tryezë, ku e pranishme ishte dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në këtë takim u diskutuan 4 kërkesat e sindikatës së mjekëve. Kujtojmë se mjekët bënë një kërkesë në polici për të zhvilluar sot tubimin e tyre në oborrin e QSUT. Ndërkohë që nga policia erdhi një përgjigje negative për ta, pasi në kushtet e pandemisë nuk mund të mbaheshin protesta. Gazetari Skëndaj, duke iu referuar burimeve tha se drejtoria e QSUT i ka bërë presion mjekëve për të hequr dorë nga protesta, për shkak të rrezikut nga pandemia e COVID-19.

Kërkesat e mjekëve:
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb