Pasi erdhi reagimi zyrtar nga Kryeministria, ku kjo e fundit kërkonte të ulej në një tryezë me një përfaqësi të mjekëve që do të protestonin nesër në QSUT, zbulohet emrat nga bluzat e bardha që do të prijnë këtë takim.

“BalkanWeb” mëson se është caktuar një grup me 5 mjekë që do të shkojnë në takim nesër me përfaqësues të zyrës së bashkëqeverisjes dhe të Ministrisë së Shëndetësisë në ambientet e qendrës për hapje dhe dialog (COD) në Kryeministri, i cili është parashikuar të nis në orën 09:30. Bëhet fjalë për mjekët Gentian Stroni, Altin Kuqo, Fatos Olldashi, Arjan Harxhi si dhe Arjan Mezini.

Në këtë takim do të diskutohen 4 kërkesat e sindikatës së mjekëve. Kujtojmë se mjekët bënë një kërkesë në polici për të zhvilluar nesër tubimin e tyre në oborrin e QSUT. Ndërkohë që nga policia erdhi një përgjigje negative për ta, pasi në kushtet e pandemisë nuk mund të mbaheshin protesta.

Kërkesat e mjekëve:
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb