TIRANË

Rritja e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama e çmimit te energjisë sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi nuk tregon një krizë energjitike, por një krizë menaxhimi. Sipas Preçit qeveria duhet të menaxhojë më mirë burimet që ka vendi.

“Kanalet e transmetimit në këtë rast janë cmimi i lartë i energjisë që importohet për një periudhë të shkurtër kohe dhe nuk është vendi për alarm as nuk është vendi për të thënë kurseni sic thuheshte në periudhën e regjimit komunist.Është vendi për të përmirësuar qeverisjen për të ushtruar ato përgjegjësi dhe qeveria nuk është as për të bërë pyetje dhe as për të ngjall panik. Qeveria është për qeverisur do të thotë për të zbatuar ato praktika të qeverisjes së mirë për të menaxhuar ato burime që vendi ka në dispozicion burime financiare,natyrore.”- tha Preçi.

Daljen e kryeministrit Rama një ditë më parë për të paralajmëruar situatë të jashtëzakonshme me krizën energjetike, eksperti Preçi e cilëson një lojë politike që çdo qeveri bën në që në nisjen e mandatit që merr.

“Këtë dalje e shikoj më shumë si një lojë politike që merr ne konsideratë që është viti i parë i mandatit dhe është fakt i njohur që të gjitha masat antipopullore jo nga kjo qeveri por nga të gjitha qeveritë janë ndërmarr dhe ndërmerren në vitin e parë e mandatit sepse vitet që vijën kanë kohë të amortizojnë dhe synojnë të ruajnë votat. Në të njëjtën kohë kjo pasqyron mungesën e suksesit për të mos thënë dështimi në reformat që janë ndërmarrë në sektorin e energjisë por dhe në sektorë të tjerë.”- u shpreh ai.

Bota po përballet me një mungesë të theksuar energjie, por për ekspertin Preçi Shqipëria ka kapaciette për ta zbutuar së paku rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Me investimet që janë kryer janë mundësitë që të mos ketë efekte financiare. Dmth teprica energjisë tonë të depozitohet në kosovë në periudhën e dimrit kur ne kemi prodhim të madh dhe njëkohësisht në periudhën e verës kur kemi nevojë mund ta marrim nga Kosova sepse ka me burim qymyri.”-shtoi Preçi.

Të premten Furnizuesi i Tregut të Lirë pjesë e OSHEE Group mbylli ankandin e fundit për blerjen e energjisë për muajin Tetor dhe bëhet fjalë për furnizimin gjatë periudhës 4-10 Tetor. Çmimi mesatar i një megavati të blerë rezulton 233 euro, çmimi më i lartë me të cilin vendi ynë ka siguruar ndonjëherë energji nga tregu i lirë teksa një vit më parë e njëjta sasi energjie i siguruar për 50 euro. Ndërkohë nuk ka një shifër zyrtare sesa fiton Shqipëria nga energjia që shet jashtë vendit.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në Shqiperi në 6 mujorin e parë të ketij viti u rrit me 2,2 herë thotë instuti i statistikave, dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi duket se ka shkuar për eksporte. Kështu për 6 mujorin e parë të këtij viti Shqipëria eksportoi 924 GWh energji elektrike duke shënuar një rritje me 4,1 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa importet ranë me 66,5% për një total prej 224 GWh energji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb