Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se janë duke punuar me intensitet në sigurimin e kontingjenteve tjera me vaksina antiCOVID-19, ndërsa tha se përveç vaksinave me rëndësi janë masat në fuqi dhe ato të cilat do të ndërmerren në ditët në vazhdim në raport me situatën në terren të respektohen nga të gjithë.

Vitia para deputetëve tha se është lajm i mirë ardhja e vaksinave dhe falënderoi të gjithë akterët që kanë marrë pjesë në negocimin e kontratave dhe proceseve deri tani.

“Ne me ardhjen në qeveri kemi intensifikuar këtë punë dhe mund të them se jemi në rrugë të mirë sepse kemi tani më edhe konfirmime dhe nga kompani tjera të cilat shpresoj që shumë shpejt të përfundojnë me sukses dhe vaksinat të vijnë sa më shpejt.

Në këtë proces nga fillimi ka qenë të kyçur, duke filluar nga kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi… jemi duke punuar në sigurimin e vaksinave, por masat të cilat janë në fuqi dhe të cilat do të ndërmerren në ditët në vazhdim në raport me situatën në terren do të jenë me rëndësi të respektohen nga të gjithë”, tha Vitia.

Ai tha se tani më është plani për vaksinimin në Kosovë, që pas punëtorëve shëndetësor do vaksinohen personat mbi moshën 80 vjeçare, e që janë diku rreth 30 mijë persona.

Vitia tha se përveç sistemit online, personat mbi moshën 80 vjeçare do të kontaktohen për procesin e vaksinimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb