Regjisori Edmond Budina tha në një lidhje me ‘Skype’ në News24 se Aleanca për Teatrin vijon të mbledhë firma në gjithë Shqipërinë dhe do vazhdojë të protestojë, derisa Teatri Kombëtar të ndërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte.

Sipas regjisorit të njohur, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, çështja do të kërkojë zgjidhje ndërkombëtare.

Pyetje: Ç’po ndodh me Aleancën për Teatrin?
Budina: Vazhdon të mbledhë firma në gjithë Shqipërinë, do vazhdojmë të protestojmë, derisa teatri të ndërtohet siç ishte. Për këtë kemi dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, pasi gjithë bota ka folur për këtë krim monstruoz. Ne do vazhdojmë ta çojmë deri në fund këtë, që teatri të rikthehet ashtu si ishte dhe aty ku ishte. Ata duhet të përgjigjen në SPAK për krimin që kanë kryer. Ne jemi të vendosur të luftojmë që të kthehet teatri. Tani i kanë të gjitha mundësitë ashtu siç ishte, me të gjitha mjetet moderne. Nëse ata nuk do ta ndërtojnë ashtu siç ishte dhe aty ku ishte, kjo tregon se ata duhet të bëjnë aferat e tyre të pista, një ndërthurje e mafies me politikën.

Sa i përket kallëzimit të parë, SPAK na ka kthyer një përgjigje, ku thotë se kanë filluar hetimet e gjithanshme dhe të plota. Të gjitha kallëzimet SPAK i ka regjistruar, që tregon se ka arsye për t’u hetuar. Shpresojmë që hetimi të fillojë. Me këtë SPAK do të tregojë nëse është vërtet i interesuar për të nxjerrë ‘peshqit e mëdhenj’. Nëse kjo nuk ndodh, ne do ta ndjekim ndërkombëtarisht. Kjo ka të bëjë me gjithë popullin shqiptar, që është ndërgjegjësuar.

Pyetje: Sa firma keni mbledhur dhe sa të ligjshme do të jenë ato?
Budina: Nuk kam një numër të saktë, por di që gjatë ditës mblidhen 1500-2000 mijë firma në gjithë Shqipërinë. Nga pikëpamja ligjore këto nuk kanë ligjshmëri, por nëse numri i këtyre firmave është i madh, qeveria duhet t’i thërrasë mendjes. Këto firma do të shkojnë edhe në Evropë, dhe padyshim që do të ketë një reagim nga Evropa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb