Ekspertja britanike, Sarah Gilbert, që qëndron pas vaksinës së COVID-19 në Oksford, ka bërë disa paralajmërime të frikshme lidhur me atë që e pret botën pas virusit. Ajo është shprehur se bota është e rrezikuar nga shpërthimi i sëmundjeve, që transmetohen nga kafshët tek njerëzit.

Sipas medieve të huaja, Sarah Gilbert, beson se përhapja e sëmundjeve nga kafshët është bërë më e mundshme për shkak të stilit të jetës tonë.

Në veçanti, rritja e dendësisë së popullsisë, rritja e udhëtimeve ndërkombëtare dhe shpyllëzimi janë disa prej faktorëve.

Origjina e patogjenit të coronavirusit mbetet ende një mister, mirëpo, shumica e studiuesve besojnë se virusi u shfaq tek lakuriqët para se të kalonte edhe tek njerëzit, përmes gjallesave të tjera.

“Për shkak të mënyrës së jetesës tonë, ka shumë gjasa që të përballemi edhe me shpërthime të tjera në të ardhmen”, tha Gilbert për The Independent.

“Dendësia më e madhe e popullsisë, udhëtimet e shpeshta dhe shpyllëzimi – të gjitha këto kanë gjasa të shkaktojnë sëmundje të tjera”, ka shtuar ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb