Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës, ku ishte thirrur pas protestave tek Unaza e Re.

Jashtë dyerve të Prokurorisë, ish-deputeti Balliu paralajmëroi se mbrëmjen e sotme do të publikojë provat, që tregojnë se kush janë hajdutët e vërtetë të pronave në zonën e Unazës, ndërsa shtoi se në të vërtetë aty nuk ka një projekt, por gjithçka po bëhet për të shkatërruar banesat e qytetarëve dhe për të ngritur kulla oligarkët.

Më tej, Balliu tha se banorët do të vazhdojnë protestën për të mbrojtur banesat e tyre, duke shtuar se ata që i kanë dhunuar, sipas tij policia, do të shkojnë në kokërr të burgut.

“Banorët do të vazhdojnë dhe do të marrin shpërblimin cent për cent. Ata që i dhunuan do shkojnë në kokërr të burgut. Nuk prisja asgjë më shumë, as më pak, dhe as më shqetëson e bezdis, pasi ne e dinim që në momentin që vendosëm të përballemi me mazhorancën, ata do të bënin gjithçka, qoftë, arrestime, dhunë, shtyrje, gaz lotsjellës. I dinim të gjitha këto, por ajo që na shqetëson sot është se qytetarët mbetën pa shtëpi. Na shqetëson dhimbja e tyre. Gjatë gjithë kohës, qeveria ka gënjyer banorët, duke iu thënë se nuk preken, por që tani do t’i rrafshojnë banesat.

E vërteta është se aty nuk ka projekt, është një projekt fantazmë. Aty ka një zgjerim, që bëhet për të shkatërruar shtëpitë dhe për të ndërtuar kulla këta oligarkët. Por, shqetësimi ynë është me qytetarët e dhunuar, për të cilët këta do të mbajnë përgjegjësi. Filmat e tyre as na trembin. Ata tregojnë se janë në përpëlitjet e fundit. Janë gjuajtur me gurë gra në moshë e fëmijë, nga policia. Është hedhur gaz lotsjellës, ku janë helmuar qytetarët. Këta i quajnë zaptues, hajdut pronash, por sot në darkë do të shihni provat, se kush janë hajdutët e vërtetë të pronave.

I druheni dënimit?
Këtu gjithçka ndodh. Ata shkuan për t’i vrarë. Neve nuk po na çon ligji nëpër gjykata, por Edi Rama.

Genc Gjokutaj, avokati i Balliut: Kjo bëhet pikërisht tani kur është faza finale tek “Astiri”. Kjo është thjeshtë një formë presioni. Nuk mund të marrësh të pandehur një komunitet të tërë për grumbullim të paligjshëm. Ata janë në të drejtën e tyre, në mbrojtje të shtëpive të tyre, nuk është se po sulmojnë institucione. Kjo përplasje e policisë ishte plotësisht e evitueshme. Ky merak që keni do të shuhet shumë shpejt në Gjykatë.

Klevis Balliu: Prova nuk ka. Rama i kërkon policisë që të bëjë dialog me familjarët e Agim Kajmakut i cili është një kriminel bandit ordiner dhe të cilin e futi vetë në bashki, kurse me banorët e Unazës nuk pranoi dialog sepse e zhveshën lakuriq për atë që është vërtetë një hajdut. I dogjën vjedhjen. E demaskuan në sytë e botës dhe Europës, në sy të shqiptarëve dhe e nxorën qeverinë për atë që është, një grup hajdutësh dhe banditësh, dhunuesish ndaj qytetarëve shqiptarë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb