Deputeti Myslim Murrizi paralajmëroi nga foltorja e Kuvendit se kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Ulsi Manja, u nis të shkarkonte Presidentin, por në fund të kësaj seance plenare o shkarkohet vetë, o shkarkohen të gjithë anëtarët e këtij komisioni.

Murrizi tha se këta politikanë nuk e shkarkojnë dot njëri-tjetrin, pasi janë ortakë dhe 8 muaj para zgjedhjeve bëjnë pazare.

“Jeni ortakë, nuk shkarkoni njëri-tjetrin. Ju ngritët komisionin, ai thirri 2 marsin dhe ngriti kundërshtarët tuaj. Ulsiu u nis të shkarkojë Metën, por ka shumë mundësi që pas kësaj seance o shkarkohet Ulsi, o shkarkohen të gjithë anëtarët e atij komisioni. Unë do doja që ata deputetë që firmosën, të votonin për shkarkimin e presidentit Meta. Kolegët u mblodhën dhe firmosën rrufe për ta shkarkuar, por kush i trembi? Ku i keni firmat që do t’i bënit gjamën presidentit? U zeruat sot. Meta nuk kënaqet as me fitoren në letër, as me përqindjen, as me bashki, ai ka instikt tjetër dhe po s’e preku me dorë, nuk e quan.

Jeni shejtanë e shkuar shejtanit në këtë sallë. Unë do të votoj kundër raportit tuaj, edhe pse nuk kam qenë një ndër firmëtarët për shkarkimin e Metës. Ju e dini vetë pazarin 8 muaj para zgjedhjeve, ku kërkoni një ortakëllik pas muaj-maj të 2021. Presidentin Meta e vlerësoj si heroik për qëndrimin e 2008-ës dhe shpresoj shumë ta përshëndesë 30 korrikun e të mos fshihet. Duhet ta përshëndesësh, sepse shqiptarët presin me padurim të cahet muri i kalbur i këtyre 30 viteve”, tha Murrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb