Prej më shumë se një muaji materniteti i Spitalit Bashkiak Mat ishte pa shërbimin obstetër gjinekologjik. Kjo për shkak se mjeku që ishte më parë Halit Karaxha nga Malisheva e Kosovës, refuzoi të firmoste kontratën për vijimin e punës pranë këtij materniteti.

Një ditë më parë, gratë shtatzëna në Mat paralajmëruan një protestë këtë të martë, por vetëm njëra prej tyre u paraqit. Linela Markja sëbashku me bashkëshortin e saj protestuan në mënyrë simbolike për mungesën e këtij shërbimi. Ndërkohë po në të njëjtën kohë pranë maternitetit mbërriti mjeku obstetërgjinekolog Altin Gjeci.

Drejtori i Spitalit Bashkiak Mat, Roland Meta tha se për momentin zgjidhja e vetme që i është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është mbulimi i këtij shërbimi me patronazhim nga mjekët e spitalit Rajonal Dibër.

Nga ana tjetër Drejtori i këtij spitali tha se 3 mjekët e spitalit Rajonal Dibër do të shërbejnë me grafik për të mos e lënë pa këtë shërbim maternitetin e spitalit të Burrelit.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb