DURRËS

Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në Durrës, arrestohet një 32-vjeçar dhe i vëllai.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, pas njoftimit të marrë nga një shtetase e cila ishte e traumatizuar dhe kërkonte ndihmë sepse po e kërcënonte për ta vrarë bashkëjetuesi i saj, kanë vlerësuar njoftimin e marrë dhe menjëherë kanë mirorganizuar punën dhe si rezultat i ndërhyrjes profesionale dhe të menjëhershme të punonjësve të Policisë, është bërë i mundur parandalimi i vrasjes së shtetases K. B. dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Lulëzim Doko alias Kurti, 32 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, për veprën penale “Vrasje me paramendim për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, i cili në momentin e arrestimit mbante me vete një armë të llojit pistoletë me krehër me 8 fishekë, me të cilën do të kryente krimin.

Nga veprimet hetimore të kryera, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit Altin Kurti, 35 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, vëllai i autorit.

Këtij shtetasi, nga kontrolli i banesës iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik kallashnikov dhe 23 fishekë.

Gjithashtu, në bazë të hetimit të thelluar të rrethanave të kësaj ngjarjeje të ndodhur dhe lidhjeve shoqërore të autorit të ngjarjes, shërbimet e Policisë, bënë të mundur zbulimin e një banese të marrë me qira në qytetin e Tiranës, e cila përdorej nga i arrestuari, shtetasi L. D., dhe shtetasit M. L., banues në Durrës dhe E. H., banues në Thumanë Krujë, banesë në të cilën u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë provës materiale një armë zjarri automatik, me krehër dhe fishekë dhe një pistoletë me fishekë.

Shtetasit Meti Lika dhe Ergi Hidraliu, u shpallën në kërkim si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb