Kreu i “Al Kaedës”, Osama bin Laden, ndaloi operacionet që synonin të vrisnin Joe Biden, sepse sipas tij, demokrati do të ishte një president i paaftë dhe do t’i “çonte SHBA-të në krizë”, nëse xhihadistët do të ishin të suksesshëm në vrasjen e Barak Obamës.

Bin Laden e mbajti këtë qëndrim në një letër të vitit 2010 që u gjet në një mori dokumentesh në kompleksin e Pakistanit, ku ai u vra nga forcat speciale amerikane në 2011.

Dokumenti u bë publik për herë të parë në vitin 2012, por është nxjerrë sërish në dritë nga “New York Post” dhe i është dhënë një rëndësi e re në kulmin e tërheqjes kaotike të SHBA-ve nga Afganistani duke u dhënë vendin përsëri talebanëve.

Bin Laden, udhëheqësi i atëhershëm i Al Kaedës dhe njeriu që Amerika shkoi në Afganistan për ta vrarë, shkroi direktivat e tij në një dokument prej 48 faqesh në maj 2010. Ato i shkroi me anë të një ndihmësi të identifikuar si “Vëllai Shejh Mahmud’, emri i vërtetë i të cilit është Atiyah Abd al-Rahman.

  • foto galeri

Në këtë dokument ai shtron nevojën për të drejtuar forcat larg sulmeve terroriste në vendet e tjera myslimane duke u përqendruar në sulmet direkte kundër Shteteve të Bashkuara.

Në faqen 36, ai përshkruan dëshirën e tij për të formuar dy skuadra goditëse, njëra në Pakistan dhe një tjetër në Afganistan. Puna e tyre do të ishte organizimi i sulmeve kundër Presidentit të atëhershëm amerikan Barack Obama dhe ish-drejtorit të CIA-s, David Petraeus, nëse ata do të vizitonin njërin nga këto vende.

“Obama është kreu i pabesisë dhe vrasja e tij automatikisht do të bëjë që Biden të marrë presidencën për pjesën e mbetur të mandatit, pasi është ligj atje. Biden është plotësisht i papërgatitur për atë post dhe do t’i çojë SHBA-të në krizë” – shkruante Osama Bin Laden.

Sa për ish-kreun e CIA-s, Petraeus, ai shkruante se “është njeriu i duhur në këtë vit të fundit të luftës dhe vrasja e tij do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb