Dhjetra parashuta shumëngjyrëshe fluturuan  mbi Piramidat e Mëdha të Gizës, një nga Shtatë mrekullitë e Botës së Lashtë, duke nisur festivalin e katërt ndërkombëtar të parashutizmit të quajtur “Kërce si Faraoni” në Egjipt.

Veprimtaria shtatëditore këtë vit mbledh mbi 200 parashutistë të huaj nga rreth 30 vende, duke përfshirë kampionët e botës dhe 135 parashutistë egjiptianë.

Veprimtaria, e organizuar nga kompania egjiptiane e investimeve sportive Skydive Egypt në bashkëpunim me Federatën Egjiptiane të Parashutizmit dhe Sporteve Ajrore, mbahet gjithashtu nën kujdesin e Ministrisë egjiptiane të Rinisë dhe Sporteve.

Mostafa Saeed, CEO i Skydive Egypt dhe kreu i festivalit, tha se ngjarja vjetore nuk është ndalur kurrë që nga fillimi në 2018, edhe përkundër pandemisë COVID-19 që nga fillimi i vitit 2020, duke theksuar se ajo tërheq më shumë pjesëmarrës çdo vit.

“Këtë vit, pas përhapjes së vaksinave dhe rihapjes së aeroporteve, ne kemi 215 pjesëmarrës nga 29 vende që këmbëngulën për t’u bashkuar me festivalin, i cili është bërë një nga festivalet kryesore në axhendën ndërkombëtare të parashutizmit,” tha Saeed për Xinhua në një intervistë pranë piramidave.

Parashutistët u hodhën nga një helikopter në një lartësi prej 15,000 këmbësh (mbi 4,500 metra të lartë), dhe spektatorët në vendin e piramidave mund të shihnin parashutat në qiell në një lartësi prej rreth 3,000 metra.

Kampionia franceze e botës, Karine Joly, një trajnere e parashutizmit që mban tituj dhe rekorde botërore, ka bërë deri më tani rreth 6600 kërcime në jetën e saj me parashutë, duke përfshirë 20 kërcime mbi piramida.

Kur e pyetën për ndjenjën e saj kur pa për herë të parë Piramidat e Mëdha teksa hidhej me parashutë, ajo u përgjigj duke qeshur: “Unë qava!”

“Unë shikova poshtë për herë të parë dhe pashë se isha pikërisht mbi Khufu (Piramidë). Isha si ‘Oh Zoti im!’ Dhe fillova të qaja”, tha Joly për Xinhua, duke e përshkruar  si ngjarjen më të mirë të parashutizmit në Egjipt.

Sa i përket parashutistit holandez Matt Landsman, i cili sapo ka mbushur 22 vjeç, ishte hera e dytë që merrte pjesë në këtë ngjarje. Këtë herë ai erdhi me një ekip prej pesë sportistësh nga Holanda, përfshirë edhe babain e tij.

“Epo, në një event si ky, duhet të marrësh pjesë sepse është e mrekullueshme…Dhe të fluturosh mbi një nga shtatë mrekullitë e botës është gjëja më e bukur që mund të bësh”, shtoi i riu.

Parashutat shumëngjyrëshe tërhoqën sytë e spektatorëve rreth piramidave, të cilët përfshinin një numër zyrtarësh dhe diplomatësh nga vendet pjesëmarrëse që erdhën për të mbështetur sportistët e tyre.

“Ndihem i lumtur që jam sot këtu për të mbështetur atletin ekuadorian”, tha Rafael Veintimilla, ambasadori i Ekuadorit në Egjipt, duke theksuar se “një ngjarje e tillë unike mund të afrojë njerëzit nga vende të ndryshme, veçanërisht në këtë vend historik”.

Veprimtaria “Kërce si faraoni” mbështetet edhe nga organet e interesuara të qeverisë egjiptiane, përfshirë Ministrinë e Turizmit dhe Antikiteteve.

“Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve gjithmonë sponsorizon shumë ngjarje sportive, kulturore dhe artistike. Kjo nuk është hera e parë për të sponsorizuar këtë ngjarje dhe nuk do të jetë e fundit,” tha Ahmed Youssef, ndihmës ministri i turizmit dhe antikiteteve për marketingun dhe promovimin e turizmit. .

Mbështetja e ngjarjeve të tilla është pjesë e strategjisë së re të marketingut të ministrisë për të promovuar turizmin në Egjipt “në një formë të re, emocionuese dhe moderne”, tha zyrtari egjiptian për Xinhua.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb