Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga selia blu denoncoi aferën e inceneratorëve, ku nuk i kurseu akuzat për ish-ministrin Arben Ahmetaj.

Berisha në denoncimin e tij pohoi se Zoto ka paguar me kartën e tij të kreditit të paktën 5 herë udhëtimet në hotele me 5 yje të Ahmetajt në Europë.

“Punonjësit e kompanisë Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj, kanë financuar vizitat turistike, netët e luksit në hotelet me pesë yje të Arben Ahmetajt, asokohe ministër i Ekonomisë, sigurisht jo me para të veta, por të sipërmarrjes qeveritare të vjedhur nga taksapaguesit shqiptarë. Klodian Zoto, ka paguar me kartën e vet të kreditit, të paktën në pesë raste të raportuara qëndrimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetajt. Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD-së dhe opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e mega-vjedhjes së 430 milionë eurove.

Arben Ahmetajt dhe shefi i tij, Edi Rama, kanë rolet më kryesore në këtë aferë. I pari Edi Rama, përmes firmave që ka hedhur, dhe përdorimit të shefit të tij, Engjëll Agaçit, ka qenë njeriu më kryesor i të gjithë procesit korruptiv.

Pra, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, me Edi Ramën në krye, që kanë përfituar nga kjo mega-aferë korruptive. Edi Rama, në kundërshtim me ligjet e vendit, në kundërshtim me opinionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, ka firmosur kontratën me negociatat të mbyllura, në mënyrë antiligjore. I dyti, Arben Ahmetaj, përmes njohjeve me të kërkuarit e drejtësisë, gjë që e ka mohuar vazhdimisht, ka luajtur rolin e ndërmjetësit sipas një skeme të qartë piramidale.”, tha Berisha.

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i aferës së inceneratorëve, por se paratë nuk janë të Klodian Zotos, por të taksapaguesve.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se u merr paratë qytetarëve dhe paguan blerjen e votave, lobimet ndërkombëtare dhe drejtësinë.

“Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere.
Është personi që së bashku me Edi Ramën, kanë firmosur vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
Nuk është rastësi që ministri më i fuqishëm i Ramës, Tigri i oborrit, rrëzohet në të njëjtën makinë me Zoton e tij, dhe fle në të njëjtin hotel luksoz me këtë person.
Askush të mos gënjehet. Hotelet e shtrenjta nuk janë paguar me kartat e kreditit të Zotos. JO! Ato janë para të taksapaguesve shqiptarë, që Rama ua merr dhe ua kalon vetes, ministrave dhe hajdutëve të oborrit.
430 mln euro kanë ikur dhe po ikin në drejtim të xhepave dhe të llogarive të qeveritarëve, në drejtim të thesit të zi të blerjes së votave, në drejtim të lobimeve korruptive, në drejtim të korruptimit të drejtësisë.
Fakti që dokumentet e publikuar kanë qenë në dosjen e prokurorëve dhe nuk janë marrë parasysh, janë një provë flagrante e faktit se SPAK-u nuk është gjë tjetër veçse SKAP-i partisë i kontrolluar nga Rama”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb