PARIS

Udhëtimet me metro në kryeqytetin e Francës, Paris, tek të cilat pati ndërprerje serioze për shkak të grevave kundër reformës së pensioneve në masë të madhe janë normalizuar.

Që prej 47 ditësh në vend vazhdojnë grevat kundër reformës së pensioneve, por me një thirrje nga Unioni i Sindikatave të Pavarura Kombëtare (UNSA) një pjesë e madhe e udhëtimeve të metrove dhe trenave periferikë filluan udhëtimet normale. Ndërkohë thuhet se vazhdojnë ende ndërprerjet në pesë linja të metrove.

Gjithashtu theksohet se kanë filluar edhe një pjesë e madhe udhëtimeve të trenave ndërqytetase.

Në anën tjetër do të vazhdojnë bisedimet për çështjen e reformës së pensioneve mes kryeministrit francez, Edouard Philippe dhe përfaqësuesve të sindikatave.

Të premten, më 24 janar në të cilën reforma do të paraqitet në Këshillin e Ministrave, do të zhvillohen protesta kryesisht në Paris dhe në të gjthë vendin.

– Greva më e gjatë e 34 viteve

Për shkak të grevave në Paris dhe në qytetet e mëdha të vendit jeta e përditshme ishte paralizuar.

Kryesisht në Paris grevat shkaktuan bllokimin e trafikut dhe formimin e radhëve të gjata prej disa kilometrash të automjeteve.

Për shkak të grevave, javën e kaluar ishte theksuar se Kompania Kombëtare Hekurudhore e Francës (SNCF) pësoi një dëm prej 850 milionë euro ndërsa kompania RATP e cila rregullon udhëtimet e transportit publik në Paris dhe përreth tij një dëm prej 250 milionë euro. Ndërkohë edhe restorantet dhe hotelet në Paris kanë pësuar një dëm prej rreth 740 milionë euro për shkak të grevave.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macronit insiston për zbatimin e reformës ndërkohë që sindikatat kërkojnë tërheqjen e reformës. Sipas një sondazhi të zhvilluar kohët e fundit, 75 për qind e francezëve duan tërheqjen ose ndryshimin e reformës.

Kryeministri francez, Philippe më 12 janar deklaroi tërheqje të përkohshme nga zbatimi i reformës së pensioneve e cila parashikon që punëtorët të përfitojnë pension të plotë në moshën 64 vjeçare.

Që nga 5 dhjetori e deri më tani në ditë të ndryshme në të gjithë vendin dhe kryesisht në Paris janë zhvilluar shumë protesta kundër reformës. //AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb