Pas shortit të “Champions League” të hedhur të enjten në Monaco, klubi francez i Paris SG, ka postuar një foto në rrjetet sociale ku evidentohen me ngjyra më të forta vendet e skuadrave që do përballet në fazën e grupeve.

Një nga kundërshtarët është edhe Zrvena Zvezda ndaj harta e Serbisë dallohet në postimin e klubit parisien. Por vihet re se në të përfshihet edhe Kosova, duke bërë një gabim që ka irrituar Federatën e Futbollit të Kosovës.

Në një intervistë për mediat në Kosovë, kreu i federatës, Agim Ademi deklaron se do të ankohet në UEFA, por edhe te klubi i Paris SG.

“Ne si Federatë e Futbollit të Kosovës e dënojmë atë gjest të pamatur ose sido që ta quajmë. Ndoshta atë postim e kanë bërë persona që nuk kanë lidhje me atë punë, por duhet ditur se është një shtet i ri në Evropë që quhet Kosova.

Kosova është e pranuar nga UEFA dhe FIFA por edhe nga Federata Franceze e futbollit me të cilët kemi raporte të shkëlqyera. Ne do ta informojmë UEFA-n por edhe do të kërkojmë nga PSG që të dalë dhe të kërkojë falje publike për këtë gjë. Kosova ekziston dhe është pjesë e UEFA-s, i pëlqeu apo jo klubeve dhe shteteve tjera evropiane”, ka thënë Ademi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb