PARIS- Një batalion prej 300 ushtarësh francezë u dërgua sot në Lituani në kuadër të operacionit të NATO-s që synon të përforcojë krahun e saj oriental përballë Rusisë, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm francez.

“Batalioni ‘Lynx’, që ishte nga marsi deri në shtator në Tapa, Estoni, mbërriti në fillim të janarit në Rukla, Lituani, për një mandat fillestar prej tetë muajsh i integruar në një batalion gjerman”, thekson Shtabi i Përgjithshëm në një komunikatë.

Batalioni francez përbëhet nga katër tanke “Leclerc” dhe nëntë Automjete Luftarake të Blinduara të Këmbësorisë (VBCI), shkruan ata.

NATO-ja vendosi, gjatë samitit të saj në Varshavë më korrik 2016, të dërgojë trupat e saj në vendet baltike dhe në Poloni, përballë politikës së Rusisë në këtë rajon, që dikur ka qenë nën kontrollin e Moskës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb