BRITANI E MADHE- Deputetët e parlamentit në Britaninë e Madhe kanë votuar pro krijimit të foshnjave me ADN nga dy gra dhe një burrë. Ky vendim historik bën që Mbretëria e Bashkuar të jetë vendi i parë që vendos me ligj për të lejuar krijimin e foshnjave nga tre persona.
Por që ligji të marrë fuqi, duhet të votohet edhe në Dhomën e Lordëve. Nëse miratohet, vitin tjetër pritet të lindë bebja e parë nga ADN -ja e tre njerëzve. BBC njofton se sipas përllogaritjeve rezulton se çdo vit mund të lindin rreth 150 bebe të tilla. Ministrja e Shëndetit Publik Jane Ellison pasi e mbrojti ligjin në parlament tha se “Ky është një hap i guximshëm”.
Por çfarë është krijimi i bebeve nga 3 persona?
Kjo teknikë përdor një version të modifikuar të fertilizimit in vitro. Ajo kombinon ADN -në e dy prindërve me atë të një gruaje dhuruese. Kjo metodë përdoret për të ndihmuar familjet që nuk kanë fëmijë si pasojë e një sëmundje mitokondriale. BBC shkruan se një grua, Sharon Bernard, ka humbur shtatë fëmijët e saj nga kjo sëmundje. Ajo dëmton trurin, muskujt dhe zemrën e fëmijëve. Mitokondrinat janë ndarjet e vogla brenda qelizave të trupit që e shndërrojnë ushqimin në energji.
Mbështetësit e ligjit thonë se votimi i ligjit është një “lajm i mirë për mjekësinë”. Por kritikët premtojnë se do të luftojnë kundër kësaj metode, pasi pretendojnë se ajo ngre shumë shqetësime etike dhe që kanë të bëjnë me sigurinë e shëndetit. Kryeministri David Cameron tha se ligjvënësit nuk po luajnë rolin e Zotit, por po bëjnë të mundur që dy prindër që duan të kenë fëmijë të shëndetshëm, ta kenë këtë mundësi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb