Deputeti demokrat Luçiano Boçi, në fjalën e tij në foltoren e Parlamentit, ka ngritur shqetësimin që në një seancë ku flitet për problemet e qytetarëve salla është bosh, ndërsa në një seancë si ajo e zgjedhja e Presidentit të ri, pjesëmarrja ishte e lartë.

Ai është shprehur se qeveria nuk bën asgjë për të shmangur dramat e qutetarëve. Në vend të saj, sipas tij, dëgjohen vetëm retorika lavdëruese për atë se çfarë qeveria ka bërë.

“Siç e shihni si është katandisur bosh Parlamenti dhe interesi për qytetarët është zero. Secili sheh punën e vet ndërsa të shtunën Parlamenti gëlonte nga buzëqeshjet, shtrëngimet e duarve, është plot gjithmonë kur votohen ligjet për oligarkët.

Për qytetarët nuk do të dijë njeri. Është retorikë boshe. Katër minuta për të folur për problemet e qytetarëve, me kë të nis me Elbasanin, me varfërinë që është ulur këmbëkryq në Librazhd? Atij lypësit në skicat e Migjenit që na del rrugëve të Tiranës që thotë dua të jetoj, ministrat u përgjigjen me: zoti ju dhashtë.

Harrojnë që çdo vuajtje çdo mjerim është refren i ditëve tona dhe varfëria të merr lirinë. Kjo është drama e shumë familjeve shqiptare që u i fshihni me retorikat lavdëruese për qeverinë. Sa drama të rinjsh kemi në Shqipëri? Po ata që duan të ikin larg si Nushi dhe këtu nuk ka asnjë reagim. Po drama e malësores: a do qymyr zotëri?. Sa herë është realiteti i rrugicave të qytetit. Përgjigjja juaj është migjeniane “Zoti ju dhashtë”, ka deklaruar deputeti Boçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb