STRASBURG– Parlamenti Evropian dënoi sot operacionet policore dhe arrestimet e gazetarëve, të ndodhura në mes të muajit dhjetor në Turqi, që përbëjnë sipas tij një logjikë të vajtueshme të presionit në rritje të pushtetit mbi median.

Në një rezolutë të miratuar në Strasburg, deputetët evropianë u shprehën të shqetësuar nga regresi i reformave demokratike në Turqi dhe veçanërisht për uljen e tolerancës të qeverisë për manifestimet publike dhe kritikat ndaj medias duke përfshirë këtu dhe rrjetet sociale.

Më 14 dhjetor, policia turke antiterrorizmit arrestoi 27 persona në Stamboll dhe në disa qytete të vendit.

Personat e shënjestruar ishin kryesisht gazetarë, si Ekrem Dumanli, kryeredaktori i të përditshmes ”Zaman”, bashkëpunëtori i afërt i predikuesit islamik, Fethullah Gulen, armik i betuar i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Shefja e diplomacisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dënoi këto arrestime duke i cilësuar si kontradiktore me vlerat evropiane që Turqia, e cila aspiron t’i bashkohet BE-së, duhet t’i respektojë.

Si përgjigje, Erdogan u kërkoi evropianëve të mos ndërhyjnë në çështjet e tyre të brendshme.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: