STRASBURG– Parlamenti evropian miratoi sot me shumicë votash linjat e kuqe për negociatat e Brexit duke refuzuar që një marrëveshje për të ardhmen e marrëdhënieve me Britaninë e Madhe, veçanërisht tregtare, të mund të arrihet para se Londra të tërhiqet nga BE.

Të mbledhur në senacë plenare në Strasburg, eurodeputetët miratuan me shumicë votash me 516 vota pro dhe 133 kundër një rezolutë që vendos disa linja të kuqe për këto negociata.

“Ne dëshirojmë të japim një mesazh të qartë nga uniteti i BE-së”, theksoi sot Manfred Weber, kreu i PPE (Partia Popullore evropiane, e djathtë), grupi kryesor politik i Parlamentit Evropian.

“Londra duhet të kuptojë se nuk do të jetë e mundur të ndryshojë qendrimin evropian”, nënvizoi eurodeputeti gjerman.

Rezoluta që u miratua në Strasburg mori mbështetjen e PPE-së dhe grupit socialist dhe demokrat (S&D), liberalëve të ALDE, të Gjelbërve dhe të GUE (e majta radikale evropiane).

“Votimi është pikënisja e një negociate të vështirë dhe komplekse për të përcaktuar kushtet e largimit të Britanisë së Madhe”, nënvizoi presidenti i Parlamentit Evropian, italiani, Antonio Tajani.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb