Greqi-Parlamenti miratoi planin e reformave të Aleksis Tsipras me 229 vota pro, 64 kundër dhe 6 vota abstenim.

Me anë të këtij votimi pro marrëveshjes, Athina i dha dritën e gjelbër planit të parë të reformave urgjente të vendosura nga Eurogrupi.

Vota pro ishte e nevojshme për fillimin e negociatave për ndihmën e tretë të kërkuar nga Greqia, që financohet nga FMN-ja.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras votoi “po”; ndërsa kundër votuan shokët tij të partisë Syriza, si Yanis Varoufakis, ish-Ministri i Financave dhe Zoe Kostantopoulou, Kryetari i Parlamentit.

Vendimi erdhi pas një dite të gjatë e cila kulmoi dhe me dorëheqjen e zv. Ministres së Financave, Nadia Valavani. Ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes, në sheshin ‘Sintagma’, protestues të shumtë u përleshën me forcat e policisë, duke bërë thirrje kundër miratimit të marrëveshjes nga parlamenti.

Për Tsipras vota ishte një testim mbi mbajtjen e maxhorancës me postulatin “Ose votojmë bashkarisht të gjithë ‘Po’, ose ndryshe qeveria bie”.

Votimet nxorrën në dukje ndarjen e Syrizas, me 32 vota kundër dhe 6 abstenim. Pavarësisht miratimit të marrëveshjes nga parlamenti grek, tronditjet brenda partisë së kryeministrit janë bërë të forta. Ndërkohë që grupi parlamentar i tyre është i përbërë nga 149 deputetë.

(g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: