TIRANË

Parlamenti i Republikës së Shqipërisë pritet të mblidhet të enjten më 16 prill për të miratuar një sërë projektligjesh që kanë të bëjnë me situatën që po kalon vendi nga koronavirusi duke përfshirë masat e parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe ato ekonomike.

Kjo është seanca e parë plenare pas zyrtarizimit të rasteve të para me koronavirus në Shqipëri.

Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se janë marrë disa masa për sigurinë e të gjithë deputetëve, duke nisur nga një kontroll mjekësor me matjen e temperaturës deri tek ulja në distancë në të dy katet e parlamentit.

“Të gjithë deputetët do të priten në derën e parlamentit nga një grup mjekësor ku do t’u matet temperatura. Më pas do të asistohen nga stafi i parlamentit për t’u pajisur me doreza e maska.
Në sallën e parlamentit, deputetët nuk do vendosen në mënyrë tradicionale, siç jemi mësuar zakonisht t’i shohim. E gjitha hapësira, me lozhën dhe vendin e mediave në katin e dytë do të shfrytëzohet nga deputetët. Nuk do të lejohen gazetarët, përveç deputetëve, stafit të domosdoshëm dhe gardës nuk do të ketë të tjerë persona”, deklaroi Gjençaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb