*Parlamenti miraton vetëm me votat e maxhorancës kërkesën e prokurorisë, i heq imunitetin dy deputetëve Doshi dhe Frroku

*Halimi-Paloka: Pro heqjes por nuk marrim pjesë në votim për ti qendruar larg ndotjes

*Subashi: Do votojmë pro heqjes së imunitetit

*Frroku: Mos t’i hapim rrugën këtij precedenti, kolegë nesër vjen radha juaj

*Meta ulet tek deputetët në sallë, seanca drejtohet nga Dule
*Deputeti Tom Doshi s’merr pjesë në seancë
*Meta- PD-së: Keni marrë përsipër të mbroni një falsifikator
*Rama, Dules: PS do largohet nëse nuk respektohet rregullorja

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me votat e maxhorancës kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, duke i hapur kështu rrugën arrestimit të tyre dhe kontrollit në banesa. Opozita megjithëse është shprehur pro, nuk ka marrë pjesë në votim. 80 deputetë kanë votuar pro kërkesës së Prokurorisë për Doshin dhe 79 kanë votuar pro për kërkesën e Prokurorisë për Mark Frrokun.

Seanca nisi në orën 10:40 me debate, pasi PD-ja kërkoi që të lexojë një raport të sajin të Këshillit të Mandateve dhe të paraqitej prova e hetimit, video-përgjimi Doshi-Bami. Gjithashtu, ish-Kryetarja e Kuvendit, Topalli kërkoi shtyrjen 48 orë të seancës për t’u njohur me provat.

Deputeti Tom Doshi nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u ul pranë deputetëve të LSI-së dhe ia la drejtimin e seancës, N/Kryetarit Vangjel Dule.

Kërkesa e PD-së u refuzua nga Dule, përmes thirrjeve nga salla të demokratëve. Kryeministri Rama kërcënoi me largimin e grupit parlamentar të PS-së në rast se nuk do të respektohej rregullorja, t’i jepej fjala deputetit dhe të procedohej normalisht.

Në Kuvend e mori fjalën edhe Kryetari i tij, Meta. Ai tha: “Nuk kam asnjë qëndrim për pantonimën që tregoi Toma dje. Nuk keni as ju interes që të bëhet publike,- duke iu drejtuar PD-së, – sepse bëhet e pavlefshme. Ju kërkoj të keni durim sepse gjërat do të zbardhen.”

N/Kryetari Dule, pas thirrjeve dhe protestës së zhurmshme të demokratëve, ndërpreu seancën, që rinisi me fjalën e mbrojtjes së deputetit të akuzuar Mark Frroku.

Frroku iu drejtua kolegëve me fjalët:”Besoj se ju nuk do t’i hapni rrugën këtij precedenti, sepse shumë prej juve mund t’ju ndodhë ashtu si po bëhet me mua sot. Jam i hapur për drejtësinë.”

Grupi parlamentar i PD-së ka vendosur disa minuta para nisjes së seancës, të mos marrë pjesë në votimin për arrestimin e dy deputetëve. Njëkohësisht, ka kërkuar të publikohet përgjimi ambiental ndërmjet deputetit Doshi dhe atentatorit Durim Bami në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe të lexohet raporti i saj për vendimin e Këshillit të Mandateve, ku nuk u lejua të pranohen prova shtesë nga Doshi.

Ora: 12:50- Parlamenti voton për kërkesën e Prokurorisë.

Dule: 80 deputetë të pranishëm, arrihet kuorumi i caktuar për të votuar. Hapet votimi i fshehtë për të votuar për heqjen e imunitetit, kërkesën e prokurorisë për autorizim për arrestimin.

Votohet me 80 vota pro kërkesa e prokurorisë për deputetin Tom Doshi. Votimi për Mark Frrokun, 79 vota pro, asnjë kundër, 1 abstenim.

SUBASHI: PRO HEQJES SE IMUNITETIT, PD: JEMI PRO NE PARIM, NUK DO MARRIM PJESE NE VOTIM

Ora 11:45-Deputeti i PS-së, Armando Subashi, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Rregullores ka paraqitur në seancë raportin për mbledhjen e këtij Këshilli dhe qëndrimin e palëve për kërkesën e prokurorisë mbi arrestimin e deputetëve Doshi dhe Frroku dhe kontrollin në banesat e tyre. Subashi tha se opozita dhe maxhoranca janë në thelb dakord për këtë kërkesë dhe deklaroi votën pro heqjes së imunitetit të dy deputetëve nga ana e maxhorancës. Por deputetët e PD-së, Halimi dhe Paloka megjithëse pohuan se PD-ja është pro heqjes së imuniteti, deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në votim, që sipas tyre është një farsë për të mbyllur çështjen. Argumenti për këtë vendim, sipas tyre është mospranimi i kërkesës së PD-së për të parë përgjimin ambiental Doshi-Bami në Prokurori.    

Subashi: Raporti i përpiluar dje nga Këshilli i mandateve i është shpërndarë të gjithë kolegëve deputetë dhe e kanë përpara. Do mundohem të fokusohem tek ai element që ka të bëjë me vlerësimin e kërkesës së Prokurorisë. Seanca e djeshme ishte publike. Pas dëgjimit të palëve, Këshilli bëri diskutimin e vetë me dyer të mbyllura dhe në fund u mor një vendim konsensual, pavarësisht disa kundërshtimeve të vogla në raport me procedurën. Por për thelbin e çështjes, mendimi i njëjtë nga deputetët. Në të gjithë diskutimet që u zhvilluan aty si nga ana jonë edhe nga opozita, u vu theksi që tashmë me ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës kemi një koncept të ri për imunitetin e deputetëve. Ne arritëm në konkluzionin që ti hapim rrugën kërkesës së prokurorisë. Këshilli nuk është vendimmarrës. Ajo që ne ramë dakord mbrëmë, ishte që ne ti propozojmë seancës të pranojmë kërkesën prokurorisë dhe më pas ti hapim rrugë procedurave gjyqësore.

Halimi: Padyshim që kjo është një nga seancat më të rëndësishme, më të vështira të parlamentit. Sytë e shqiptarëve janë drejtuar këtu, për të parë se çfarë do të ndodhë. Dje në një seancë të gjatë publike në Këshillin e Rregullores u pranua nga të gjithë se ekziston një tjetër video, këtë herë jo e regjistruar nga zoti Doshi por nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku rezulton se ky dëshmitar kishte kërcënuar dëshminë e vetë nga kërcënimet për jetën e familjarëve të tij nga njerëz të pushtetit. Prokuroria thotë se kjo video ekziston. Kërkesa për të parë videon u bllokua nga deputetët e PS-së. Sot do vendosim pa e parë. Qëndrimi ynë është parimor, në favor të kërkesave të Prokurorisë sepse për PD është e paimagjinueshme të bllokojë hetimin. Manipulimi i provave në favor të kreut të kuvendit duhet të nxjerrë të vërtetën, hetimi për sa kohë është në detyrë jo i rregullt. Kërkuam që kjo video të na vihet në dispozicion.

Opozita do të paraqesë sot opinionin e saj dhe raportin e saj lidhur me qëndrimin në këtë Këshill. Në historinë e këtij parlamenti, në 8 vite standardi i transparencës me publikun ka qenë standard ndërkombëtar i diskutuar dhe i pranuar. PD dhe gjithë shqiptarët e kuptojnë se e gjithë kjo është një farsë për të mbyllur çështjen. Si kurrë më parë në këto 23 vjet në aulën e parlamentit kanë shpërthyer akuza të rënda. Kryeministri ja çon kreut të PS-së për Tiranën që ta hetojë. Prokuroria u mbajt larg hetimit të çështjes për 6 muaj. Ajo që ndodhi me hetimin, përpjekje për të manipuluar të vërtetën. Opozita në këtë sallë dhe mijëra qytetarë kanë kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës. Ne nuk e kemi parë këtë video por nëse gjithçka është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një shtet kriminal dhe mafioz. Fshehja e kësaj prove nga maxhoranca me urdhër politik është komprometuese për një hetim të pavarur.

Dule: Në lidhje me pretendimet nëse duhet drejtuar nga unë seanca, përgjegjshmëria ligjore nuk refuzohet.

Paloka: Dy fjalë për qëndrimin e PD-së. Prej mëse dy javësh shqiptarët janë bërë spektatorë të një ngjarjeje sa skandaloze dhe të frikshme. Skandaloze pasi kreu i Kuvendit është akuzuar se ka urdhëruar vrasjen e dy deputetëve të këtij parlamenti. E frikshme sepse shqiptarët mësuan se kupola e këtij shteti e mbajti të fshehur për 6 muaj këtë çështje. Dje u kërkua një provë nga deputetët e opozitës në mënyrë që dilnim në një qëndrim. Kjo provë nuk iu dha deputetëve të opizitës, duke na hequr mundësinë për të gjykuar qartazi. Duke i qëndruar parimit tonë, që ky parlament nuk ka nevojë për imunitet. Grupi i PD-së nuk do të marrë pjesë në këtë farsë, për ti qëndruar larg kësaj ndotjeje.

DEPUTETI I AKUZUAR MARK FRROKU – KOLEGEVE: MOS T’I HAPIM RRUGEN KETIJ PRECEDENTI, SE NESER JU VJEN JUVE RADHA

“Unë në këtë histori jam i huaj dhe nuk është normale të më ndërpritet jeta ime personale dhe politike. Po kështu, në 25 vjet nuk kemi pasur një deputet a politikan të arrestohet për dëshmi të rreme, sepse unë kam thënë të vërtetën. Së treti, prokurori kërkon kontroll të banesës sime a thua se dëshmia ime është bërë me armatim të rremë apo me kallash. Besoj se ju nuk do t’i hapni rrugën këtij precedenti, sepse shumë prej jush do t’i hapni rugën ashtu si po bëhet për mua sot. Di shumë mirë që në 25 vite janë bërë dëshmi të rreme të provuara – në rastin tim nuk është provuar – dhe ajo njohja me Durim Bamin që thotë z.Berisha është e paprovuar. Po nga njera anë ata thonë duam prova dhe nga ana tjetër bëjnë rolin e organit të akuzës. Unë kam qënë shumë korrekt me këtë Kuvend dhe në marrëdhëniet e mia me njerëzit po dhe me ligjin. Unë mendoj se kërkesa e akuzës është shumë e nxituar, është denigruese. Iu kërkoj kolegëve të mi të mos i hapim rrugë këtij precedenti sepse mua më duket shumë i rrezikshëm. Unë nuk kam frikë të përballem me drejtësinë.”

frroku

VASILI: MBËSHTESIM DREJTËSINË, PAVARËSISHT SE PROKURORËT JANË ZGJEDHUR NGA ATA QE QEVERISNIN DJE

Kreu u grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, tha për mediat se pavarësisht se mazhoranca do të mbështesë drejtësinë me besim, pavarësisht se prokurorët janë zgjedhur nga mazhoranca e djeshme.

“Tani patëm një plotësim përfundimtar të ekipit që duhet të mbrojë çështjen e Durim Bamit. Dje ishin 5 avokatë dhe sot u shtuan dhe 2 zëdhënës, z.Berisha dhe znj.Topalli që kanë marrë përsipër këtë mision historik, të ndjekin anën e krimit. Ky strukturim me dy zëdhënës shumë të mirë e bëjnë më të plotë këtë çështje dhe duhen përgëzuar për këtë. Sigurisht që mazhoranca është e kthjellët dhe e qartë dhe do të mbështesë drejtësinë apo prokurorinë, pavarësisht se ata janë zgjedhur nga mazhoranca e djeshme. Besimi ynë është i palëkundur.”

ORA 11:20 DULE: Z.RAMA, ASKUSH S’E BEN DOT QESHARAK PARLAMENTIN, AS VETE DREJTUESIT E TIJ

Dule i përgjigjet kërkesës së tretë nga Rama: Z.Kryeministër, askush nuk mund të bëjë qesharak, institucionin e parlamentit. Parlamenti është i imunizuar ndaj qëndrimit të gjithkujt, deputetëve, ministrave apo edhe vetë drejtuesve të tij. Tani, kemi një kërkesë të paraqitur nga opozita dhe po themi që të lexohet raporti i opozitës dhe mazhorancës. Atëherë, pse duhet shtyrë seanca? ne jemi në kushtet e zhvillimit të seancës. Pse nuk e lejoni kolegun Doshi dhe Frroku të marrin fjalën? Nuk ka përfitime politike. Unë propozoj të vazhdojmë normalisht me z.Doshi dhe z.Frroku.

(Pas thirrjeve nga PD-ja në sallë, Dule vendos: 5 minuta pushim!)

11:15 RAMA:Z.DULE, PO JAPIM SHFAQJE SI NE KOPSHTIN ZOOLOGJIK

“Z.Dule, ju kërkon për te tretën herë që të respektohet procedura dhe rregullorja, – tha Rama sërish. – Kërkesa për procedurë që ndizet mikrofoni dhe bëhen thashetheme të klubit të shtëpisë së oficerëve nuk ka pse. Çdo të enjte po i japim shfaqeje popullit shqiptar si ajo në kopshtin zoologjik. Mjaft më me ketë farsë. T’i jepet fjala deputetit.”

BERISHA: DEKLARATA E PS, EKSTREME. JAM DAKORD PËR RESPEKTIMIN E RREGULLORES

“Deklarata se PS-ja tërhiqet nga seanca është në ekstrem, – tha ish-Kryeministri Berisha. – Kjo është shprehje e intolerancës së plotë që ai mban në psiqikën e tij (thirrje dhe zhurmë nga radhët e PD-së, dëgjohet zëri i Topallit). Jam plotësisht dakord për respektimin e rregullores.

Dule: Ju lutem seanca është e vështirë, është sensibël, të ruajmë qetësinë. Znj.Topalli, merrni fjalën për procedurë.

Topalli: Z.Dule, rregullorja thotë se çdo kërkesë që vjen kërkon 48 orë për t’u shqyrtuar. Pra, të shtyhet seanca. Raporti sapo është dorëzuar, pra duhen 48 orë që të respektojmë rregulloren.

topalli

Dule: Nuk është nevoja të lexojmë rregulloren, sepse kemi Kushtetutën. Në ligj thuhet se “kërkesa për arrestimin apo heqjen e lirisë” vendoset në rendin e parë të ditës së seancës paraardhëse. Pra, vendimi i Këshillit u mor dje dhe seanca u mor sot.

RAMA: TË RESPEKTOJMË RREGULLOREN OSE PS DO TË IKË NGA SEANCA

“Z.Dule, ju kërkoj dhe një herë respektoni rregulloren, – tha Kryeministri, – dhe po ju citoj rregulloren. Në këtë seancë, fjala i jepet deputetit ndaj të cilit është paraqitur kërkesa. Raporti i këshillit nuk është në diskutim. Sot jemi në një situatë shumë specifike të qartë nga rregullorja dhe të respektohet. Ju siguroj se PS-ja do të tërhiqet nga ky Kuvend në çdo moment që do të shkelet rregullorja se ne nuk mund të japim shfaqje këtu çdo të enjte të denja për “shtëpinë e oficerëve”.

BERISHA: PO BËHET GJITHÇKA PËR TË MBROJTUR NJË NJERI QË KA POROSITUR DY VRASJE

Ora 11:00- Dule: Është një çështje që u diskutua edhe në Këshill. Kodi i procedurës penale është amenduar në vitin 2014, tashmë kërkohet shprehimisht vetëm relacioni. Seanca plenare nuk është lexim ligjesh.

Berisha: Së pari nuk e di zoti Dule, por si e ndjen veten ti që ulesh në vend të Ilir Metës. Ndjehesh komod që të kanë ngarkuar një rol, të një njeriu që është akuzuar për dy vrasje. Të një njeriu, i cili në akt të pashembullt, bllokon paraqitjen e provës, për faktin e vetëm se i ka dërguar në qeli Durim Bamit, Xhelatin duke i thënë se unë të pres kokat e fëmijëve nëse guxon të thuash të vërtetën. Në rast se ky është trillim, ai që e ka trilluar meritonte ndjekje vetëm për të. Por në rast se është e vërtetë në banko duhet të ishte Ilir Meta. Ti je PBDNJ dhe sensi i të drejtës është baza mbi të cilën është themeluar partia juaj. E vërteta është se vetë Prokuroria ka faktuar njohjen e Mark Frrokut me Durim Bamin. Të gjitha këto çojnë tek Ilir Meta. Ne nuk bllokojmë kërkesën e Prokurorisë, por e vërteta është se ekziston një përgjim se Ilir Meta i ka çuar në qeli xhelatin Durim Bamit. Nuk i mohohet kërkesa deputetit për provën. Po bëhet gjithçka për të mbrojtur një njeri që ka porositur dy vrasje. Ngjan si zëdhënës.

Dule: Ju jeni në të drejtën tuaj, por ju lutem ka edhe disa rregulla loje. Midis të cilave ka të shkruara dhe të pashkruara. Drejtimi i seancës Nuk keni arsye të humbisni fisnikërinë e ballafaqimit politik.

RAMA: RESPEKTONI RREGULLOREN, NDRYSHE PS DO IKË NGA SEANCA

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar respektimin e rregullores nga kryesuesi i seancës, Vangjel Dule. Rama tha se nëse nuk respektohet rregullorja, PS do të braktisë seancën.

Rama: Ky nuk është klubi i shtëpisë së oficerëve. Ju lutem respektoni rregulloren dhe ti japim fund historisë ku çdo të enjte bëhemi dëshmitarë të thyerjes së rregullores. Muhabet e shpish së oficerëve ti bëjnë në shtëpinë e oficerëve.

DEPUTETET E OPOZITES THIRRJE METES “JEP DOREHEQJEN”, KREU I KUVENDIT: DURIM, GJERAT DO ZBARDHEN

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka marrë fjalën për të folur por është shoqëruar nga thirrjet e deputetëve të opozitës, të cilët i kanë kërkuar të japë dorëheqjen. Meta e ka quajtur Berishën, zëdhënës të Tom Doshit dhe deputetët e PD-së avokatë të tij.

Meta: I nderuar zoti drejtues i seancës. Zoti Beqaj ilaçet, ilaçet zoti Beqaj. Personalisht ndjehem shumë mirë që jam si deputet. Jam këtu për t’ju përgëzuar për tolerancën tuaj të jashtëzakonshme zoti Dule dhe t’ju kritikoj për intolerancën e treguar pak më parë.

Keni bërë të gjitha veprimet që duhet për një procedurë transparente. I filluan krizat zoti Beqaj, ju lutem ilaçet. Këtë falsifikator keni marrë përsipër të mbroni, merreni dhe dilni edhe në fushatë me të. Patjetër edhe në Shkodër.

Deputetët e opozitës: Jep dorëheqjen.

Dule: Zonja Topalli mos bllokoni vijimin e seancës.

Meta: Deputeti kishte 5 avokatë, 2 privatë dhe 3 deputetë të opozitës. Përgëzoj avokatët për mbrojtjen. Me qetësi dhe dashur mos nxitoni. Zoti Dule keni treguar një durim të paparë, ku një keqbërës i ka treguar gishtin prokurorëve. Ju kërkoj të respektoni kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD-së, ti jepni mundësi zotit Halimi të paraqesë qëndrimin ose raportin e tij. Për sa i takon atyre çfarë tha zëdhënësi i Tomës për xhelatit, nuk kam asgjë.

Nuk kam asnjë qëndrim për pantonimën që tregoi Toma dje. Nuk keni as ju interes që të bëhet publike, sepse bëhet e vlefshme. Ju kërkoj të keni durim sepse gjërat do të zbardhen. Patjetër dhe dashuri për doktorin, mbrapa.

ORA 10:55 TOPALLI: PROKURORIA TE SJELLE PROVAT BASHKE ME RELACIONIN, S’GJYKOHET PA PROVA

Topalli: Z.kryesues i seancës. Në Kuvend ka një arkivë . Në momentin që vjen një relacion nga Prokuroria që kërkon leje për arrestim, ka një praktikë që Këshilli I rregullores kërkon ngjitur me relacionin e Prokurorisë, edhe provat. A ka mundësi të hapni arkivën dhe të shihni së paku një rast të ngjashëm të plotësimit, bashkë me relacionin e kërkesës? Ka prova të pafundme që Prokuroria është e detyruar të sjellë. Mohimi, vota kundër e mazhorancës për të mos pranuar, për të mos marrë provat shtesë, është një rast i paprecedentë. Nuk mund të gjykohet pa provë. Ju jeni kundër marrjes së provave. Ju kërkoj që t’I kërkoni prokurorisë, provat shtesë.

ORA 10: 45 DULE I KUJTON HALIMIT ÇFARE U THA DJE NE KESHILLIN E MANDATEVE PER SEANCEN E SOTME

Dule: “Atëherë z.Halimi, – po ju lexoj vendimin që morëm dje, procesverablin ku ju thatë se “jemi dakord me kërkesat e prokurorisë, por do ta themi edhe nesër në seancë.” Keni ndonjë kundërshtim për shtrembërim të të thënave tuaja? Doni raportin tuaj, dakord! Keni raportin tuaj. Znj.Topalli, doni fjalën për procedurë? Urdhëro.”

Halimi: Duhet të themi të vërtetën shqiptarëve. Pak minuta para nisjes së mbledhjes, ju kam telefonuar juve personalisht. Ju kam dërguar edhe një sms, 10 min. para se të mbyllej mbledhja, meqë ju nuk ekeni caktuar datën kur do të paraqitej raporti, opozita do të paraqitej me raportin e saj lidhur me çfarë u vendos në Këshillin e Mandateve.

ORA 10:40 HAPET SEANCA

N/Kryetari i Kuvendit Vangjel Dule hap seancën dhe prezanton rendin e ditës. Kryetari i grupit të PD-së, Paloka, kërkon që të lexohet raporti i PD-së nga Eduard Halimi lidhur me qendrimin e mbajtur dje në Këshillin e Mandateve. Dule u pranon kërkesën.

Ora 10:20 Deputeti Mark Frroku mbërrin në Kuvend, në seancën ku do të votohet për të.

Ora 10:02 PD vendos të mos marrë pjesë në votim. Njëkohësisht, kërkon të publikohet video-përgjimi ndërmjet deputetit Doshi dhe atentatorit Durim Bami si dhe të lexohet raporti i saj për vendimin e Këshillit të Mandateve.

KESHILLI VENDOSI UNANIMISHT: T’I HIQET MANDATI, DOSHIT DHE FRROKUT

ORA 12:00 Pak para mesnatës, Këshilli i Mandateve i ka thënë OK, Prokurorisës, për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku dhe ka vendosur t’ia dorëzojë për votim Kuvendit. Vendimi u mor pas një mbledhjeje maratonë, disa orësh debatesh, ku Këshilli i shpreh se nuk do të pranonte prova të tjera në lidhje me çështjen “Doshi.” Ai kryesohej nga N/Kryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, i cili nuk kishte të drejtë vote.

Përbërja e Këshillit:

Ilir Meta LSI Kryetar Kuvendi (U zëvendësua nga Vangjel Dule, N/Kryetar)
Fatmir Xhafaj PS Anëtar
Namik Dokle PS Anëtar
Vasilika Hysi PS Anëtar
Armando Subashi PS Anëtar
Eduart Halimi PD Anëtar
Arben Ristani PD Anëtar
Kastriot Islami PD Anëtar
Dashamir Tahiri PDIU Anëtar

Ish-Ministri i Drejtësisë, demokrati Eduard Halimi tha se “është e painmagjinueshme që të bllokohen hetimet për këtë çështje, nuk ka hetim të besueshëm për sa kohë Meta të jetë kryetar i Kuvendit. Edi Rama është dëshmitar i heshtur nga mëngjesi deri në darkë.”

DOSHI LESHOI “BOMBEN” E PARALAJMERUAR: DESHMITARI U KERCENUA ME JETEN E FEMIJEVE

Deputeti Tom Doshi ka hedhur dje në Këshillin e Mandateve,deklaratën “bombë” të premtuar. Ai tha se dëshmitari kyç i atentateve, Durim Bami, ishte kërcënuar me jetën e fëmijëve të tij në Polici për të mohuar porositjen e vrasjeve: “Polici i RENEA-s, me maskë, i tha Durim Bamit në dhomën e izolimit “E dimë ku i ke fëmijët!”, tha Doshi.

“Me kërkesën time, në prani të 4 prokurorëve, është pranuar kërkesa ime, – tha ai. – Në një nga zyrat që disponojnë këta. Është bërë përgjimi ambiental me kamera, unë kam vënë aparaturën në trup dhe kam takuar Durim Bamin dhe i kam thënë Bamit gjithë kohës thuaj të vërtetën. Ai më tha në një moment që nuk mund të flas. Pse i thashë? Ai bëri me shenjë që ka një djalë të vogël. I thashë unë si është puna? Ai ma bëri me dorë për fëmijët . Unë i thashë po ça ka? Ma bëri me duar prapë, që ka ardhur një polic i forcave speciale me kapuë, e bëri dhe me dorë, që e kemi parë bashkë me prokurorin, edhe regjistrimin edhe transkriptin që është bërë. Bën me dorë dhe thotë: Burrat e huaj janë atje, te vendi që as unë nuk e di, pra në adresën ku e kishte tezja e gruas se vet. Unë u çova në këmbë dhe i thashë të të çojmë në spital të burgut? Jo tha se aty ka ilace, jam më në rrezik nëse më çon në spital. Kur foli për fëmijët i dolën lot, e kemi parë edhe me prokurorë, madje një prokurore që ishte aty i shkuan edhe asaj lot sepse i erdhi keq. Unë i thashë që këto i bën vetëm organizata e ISIS me të vra fëmijët. Këtë bisedë e di dhe prokurori, por unë nuk po ia kërkoj ta bëjë publike. Kur unë u çova në këmbë më tha: Ti e di o burr në ca kushtesh jam unë dhe nuk mund të flas, se e di ça me kanë vënë edhe te X5. Pra i kishin vënë 560 gr tritol. Pra, në kushtet që do vrasin atë dhe fëmijët, atëhere si do ta pranonte. Tani ai vjen me paturpësinë më të madhe dhe më akuzon mua për kallëzim të rremë”

Mbledhja e Këshillit të Mandateve u drejtua nga N/Kryetari i Kuvendit Vangjel Dule. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme si dhe deputeti Tom Doshi me dy avokatët e tij, Vladimir Meçi dhe Ferid Muçaj, që paraqitën mbrojtjen.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb