KOSOVË- Parlamenti i Kosovës ka zhvilluar sot një seancë solemne për 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në seancën për këtë datë historike marrin pjesë përveç deputetëve e kabinetit qeveritar, edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga; ish-presidentët e Shqipërisë Rexhep Mejdani e Alfred Moisiu; simboli i rezistencës Adem Demaçi; ambasadorët e akredituar në Prishtinë dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare dhe të OJQ-ve.

Në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit, kreu i këtij institucioni, Kadri Veseli ka shprehur mirënjohjen për ata që sakrifikuan jetën që Kosova të jetë sot e lirë dhe e pavarur. Por Veseli ka falënderuar të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës dhe që ishin përkrah saj.

“Kjo ditë ka dimensione të shumëfishta, është ditë e përkujtimit të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët në rrethana të ndryshme dhanë gjithçka për këtë ditë, vetëm që dita e pavarësisë të zbardh një ditë mbi qiellin e Kosovës. Kjo gjithashtu është ditë e madhe e nderimit edhe të miqve tanë. Nderim për ata që ishin përkrah Kosovës”, ka thënë ndër tjerash Veseli. Ai ka shtuar se megjithatë, me gjithë arritjet, nuk ka vend për vetëmburrje. Veseli përmendi meritat e rezistencës paqësore e asaj të armatosur për të arritur në këtë ditë, duke ua njohur meritat edhe miqve ndërkombëtarë që ndihmuan lirinë tonë.

“Për shtetndërtimin ka shumë punë për tu bërë. Pengesat janë të mëdha por në bashkëpunim dhe mbështetje të miqve ne duhet të ecim përpara”, ka shtuar Veseli.

Duke ju referuar largimeve masive, kryeparlamentari kosovar theksoi se “Kosova nuk është vendi i shpresave të humbura”.

Ndërkohë kryeministri Isa Mustafa e quajti 17 shkurtin, datën më të rëndësishme në historinë e Kosovës, ndërsa përmendi sakrificat e bëra për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai në veçanti përmendi Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin dhe shumë heronj të tjerë që kanë merita për të sotmen e Republikës së Kosovës. Në veçanti theksoi meritat e miqve ndërkombëtarë të cilët e shpëtuan popullin nga gjenocidi.

DEPUTETËT E VETËVENDOSJES NUK PRANOJNË TË KËNDOJNË HIMNIN

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë paraqitur në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës, vetëm pas interpretimit të himnit të flamurit të Republikës së Kosovës.

Seanca solemne ka nisur me himnin e flamurit të Kosovës. Por në këtë moment, aty u paraqitën deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët refuzuan të nderojnë himnin dhe hynë vetëm atëherë kur përfundoi. Në seancë nuk marrin pjesë as deputetët serbë, të cilët kanë bojkotuar Kuvendin, pas shkarkimit të ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb