TIRANË

KQZ ka ndëshkuar me 30 mijë lekë gjobë 31 sekretarë zgjedhorë, për parregullsi në administrimin e materialeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. 

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka pranuar të mërkurën kërkesën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, për vendosje të sanksionit administrativ ndaj sekretarëve të 31 qendrave të votimit në procesin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Sekretarët, pas verifikimit paszgjedhor, rezultuan se nuk kishin administruar sipas parashikimeve ligjore dokumentacionin zgjedhor, duke mos e dorëzuar në KQZ librin e protokollit ose duke e plotësuar atë pjesërisht.

KAS vendosi të pranojë kërkesën për një gjobë prej 30 mijë lekësh për çdo sekretar të 31 KQV-ve, edhe pse anëtarët e kësaj strukture kishin vërejtje për hetimin e Komisionerit.

“Megjithëse u konstatua se procedura hetimore e zhvilluar nga Komisioneri nuk ishte e plotë dhe nuk kënaqte kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe Kodit të Procedurave Administrative, sa i përket hetimit dhe përcaktimit të përgjegjësisë konkrete për secilin nga personat për të cilët është kërkuar masë administrative, konsideron të rëndësishëm faktin që në këtë proces administrativ, vetë personat e interesuar u treguan pasiv, duke mos marrë pjesë në seancë megjithëse kishin dijeni, çka do të interpretohet si një pranim/dakordësim i shkeljeve të pretenduara”, thuhet në vendimin e KAS.

Në mbledhjen e tw martws KAS nuk ka pranuar ankimimin e disa prej 67 numëruesve të votave të cilët janë paditur penalisht nga Komisioneri Zgjedhor pasi nga verifikimi paszgjedhor u konstatuan shkelje në numërimin e votave për kandidatët në disa qendra numërimi.

Celibashi ka çuar për ndjekje penale të gjithë anëtarët e grupeve të numërimit ku është konstatuar tjetërsimi i votave, duke ia lënë prokurorisë të vendosë se cili prej tyre është fajtor.

Ankimimi i bërë nga 4 anëtarë të një grupi numërimi nuk u pranua të mërkurën nga KAS me arsyetimin se “kallëzimi penal ështe detyrim ligjor i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, detyrim i cili buron nga neni 281 i Kodit të Procedurës Penale dhe si i tillë nuk është e nevojshme të merret një vendim administrativ për këtë çeshtje”.

Verifikimi paszgjedhor në 519 Qendra Votimi të zgjedhura në mënyrë rastësore, tregoi se si komisionerët partiak kanë tjetërsuar votat për kandidatët për deputetë, që ishin të vlefshme për rankimin  brenda listës së subjektit të tyre politik, ose siç u pagëzua si “lista e hapur”.  Diferenca deri në 20 vota është cilësuar në raport si gabim njerëzor, ndërsa në 19 qendra numërimi diferencat luhateshin nga 21 deri në 76 vota./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: