Deputeti i pavarur, Ralf Gjoni, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara dje në Kuvend me 97 vota.

Teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se u tall dhe mashtroi shqiptarët, Gjoni theksoi se deputetët opozitarë që votuan dje pro, nuk përfaqësojnë më opozitën, ndaj dhe sipas tij, duhet të dalin para shqiptarëve dhe të thonë se më 25 prill do të garojnë për Partinë Socialiste.

Deputeti Gjoni tregoi edhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen nga opozita, që është kundër Kodit të ri Zgjedhor, ndërsa theksoi se nuk do të jetë pjesë e LSI dhe as e partive të tjera të mëdha, për sa kohë ata do të drejtohen nga lidershipët aktualë.


“Dje, Edi Rama tregoi qartë se po i mashtron shqiptarët për listat e hapura. Detyrim edhe emisarët e tij që të gënjejnë. Ky është kulmi i cinizmit dhe i talljes me këtë popull. Kjo është sindromë e një qeverisjeje të lodhur, që nuk ka çfarë i ofron më shqiptarëve. A ka lider në botë, përveç diktatorëve, të çmendurve, që rrinë mbi një orë live në televizor, duke i lodhur njerëzit. Janë bërë të lodhshëm, por problemi është a e kupton ai që është bërë i lodhshëm. Unë besoj se i del në sondazhe që shqiptarët janë lodhur dhe kupa është mbushur. Besoj se Rama, Basha e Meta janë në unison të plotë me njëri-tjetrin”, tha Gjoni.

Intervista:
A mendoni se ju përdori PS?
Ne luftuam, propozuam, ndryshuam objektin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Luftuam fortë mediatikisht, politikisht e ndërkombëtarisht, për t’i arritur kësaj dite. Arritja jonë më e madhe është se kemi arritur ta sanksionojmë me Kushtetutë hapjen e listave. Është një masakër e re, kjo që po ndodh. Është një 2008 e re. Është e trishtë që kjo kastë ka arritur në ato nivele sa nuk iu bëhet më vonë çfarë mendon populli shqiptar.

Cili do të jetë qëndrimi juaj në Parlament?
Do të shohim mundësinë e kontestimit të kësaj nisme në Gjykatën Kushtetuese, kur të jetë funksionale. E dyta, do të vazhdojmë betejën tonë deri në hapjen e listave. Është e qartë që PS nuk ka gënjeu vetëm neve në Parlament, por ka gënjyer gjithë popullin shqiptar, që tani e kupton çfarë loje e ndyrë po bëhet në kurriz të tyre. Pa diskutim që jemi duke diskutuar edhe një alternativë të re qeverisëse për zgjedhjet e ardhshme. Jam gati të propozoj nisma ligjore për të kontestuar pisllëqet që bëjnë këta.

Çfarë përfaqësojnë deputetët që votuan dje pro?
Në Kuvend ka deputetë që bëjnë si opozitarë. Unë mbaj përgjegjësi vetëm për votën time. Ne që i kemi qëndruar deri në fund për hapjen e listave kemi treguar se përfaqësojmë një alternativë për ndryshim. Ata që votuan pro dhe vazhdojnë të votojnë pro nismave të qeverisë kanë treguar se nuk përfaqësojnë më opozitën në Parlament. Unë kam një ftesë shumë miqësore për kolegët e mi: le të dalin hapur para shqiptarëve dhe të thonë se do të garojnë për PS më 25 prill. Unë mendoj se nga dje e në vazhdim çdo gjë ka ndryshuar, opozita parlamentare nuk është më ajo që hiqej sikur ishte.

A do merrni pjesë në zgjedhje me një subjekt politik?
Kam pas një dilemë shumë të madhe në javët e fundit rreth kësaj çështjeje. Dëshira ime ka qenë që në fillim të krijohej një alternativë qeverisëse, pra një bashkim opozitar. Unë dëshirë kam që t’i shërbej vendit tim dhe këtij populli. Të jesh deputet sot është një sakrificë. Të shërbesh sot si deputet, me këto pisllëqe që bëhen, është një sakrificë.

A ka gjasë t’i bashkoheni sërish LSI?
Nga LSI nuk kam pasur ndonjë ofertë. Për momentin jo. Nuk kam kontakte, kam vetëm me individë që aderojnë në LSI, për arsye miqësore. Mund t’iu them, se ju e dini që i them gjërat troç pa m’u dridhur qerpiku, se edhe nëse do më vinte një ftesë, me lidershipin aktual, nuk do të pranoja, dhe në fakt nga të tre partitë kryesore s’do të pranoja. Unë besoj se shqiptarëve iu duhen njerëz me moral, integritet, por mbi të gjitha politikan të rinj me guxim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb