Partia e themeluar në vitin 2016 nga Emmanuel Macron ka ndryshuar emër zyrtarisht, duke u njohur tashmë me ermin “Rilindja”.

Rreth 2000 persona morën pjesë këtë të shtunë në Paris në kongresin e rithemelimit të partisë së Macron. Carrousel du Louvre, vendi ku u mbajt ngjarja, nuk u zgjodh rastësisht. Në vitin 2017, presidenti i ri festoi fitoren e tij në piramidën e Luvrit me një inskenim spektakolar për fjalimin e tij dhe nën akordet e ‘Odës së Gëzimit’, himnit të Bashkimit Evropian.

“Për të përballuar sfidat e ardhshme, ne kemi nevojë për një parti solide, të ankoruar dhe të strukturuar. Një parti e hapur, transgresive dhe novatore. Rilindja do të jetë ajo parti. Dhe vlerat tona do të jenë themelet tona, mbi të cilat do të ndërtojmë dhe do të rritemi. Ne nuk do të shikojmë nëse një ide është e majtë apo e djathtë, vetëm nëse është një ide e mirë”, tha kryeministrja Elisabeth Borne, e cila deklaroi se tashmë kjo parti ka arritur pjekurinë e saj.

Rilindja do të drejtohet nga eurodeputeti Stéphane Séjourné, i afërt me presidentin aktual. Sejourne, 37 vjeç, zëvendëson Stanislas Guerini, ministër aktual për Transformimin dhe Administratën Publike. Macron, i cili nuk mori pjesë në kongres, do të jetë president nderi i partisë. Prillin e kaluar, Macron u kërkoi të gjitha partive të mazhorancës presidenciale të themelojnë një lëvizje të madhe politike, pavarësisht dallimeve të tyre të vogla ideologjike. Ai e bëri këtë thirrje mes dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale dhe me sytë e orientuar drejt zgjedhjeve legjislative të qershorit. Partia e tij humbi shumicën absolute në Asamblenë Kombëtare në ato zgjedhje.

Referuar Kushtetutës franceze, Macron nuk kandidon dot më në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2027 dhe kjo parti tashmë po përgatitet për një të ardhme pa të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb