Partia e Lirisë ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku theksoi se paketa fiskale do ketë efekte negative për ekonominë, prodhimin vendas dhe punësimin. Do rrisë më tej rrezikun e evazionin fiskal.

Sekretari Partia e Lirisë analizon buxhetin: Paketa fiskale do ketë efekte negative për ekonominë, prodhimin vendas dhe punësimin. Do rrisë më tej rrezikun e evazionin fiskal tha se gjithashtu janë në rritje mbështetja e sektorit të energjisë për të mbuluar keq administrimin financiar të sistemit energjetik si dhe kosto e shërbimit të borxhit.

Deklarata e plotë e Sekretarit për Çështjet Ekonomike dhe Financat, Petraq Milo
Niveli i të ardhurave në përqindje të PBB dhe për vitin 2023, mbetet shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit. Të ardhurat tatimore planifikohen të rriten nga 26.2%e PBB në vitin 2022 në 27.0 % e PBB në vitin 2023.

Treguesi i drejtpërdrejt i mos përmirësimit të eficencës së administrimit tatimor dhe doganor në kuadër të strategjisë afatmesme të të ardhurave mbetet parashikimi në ulje i të ardhurave tatimore nga 27.0% e PBB në vitin 2023, në uljen e tyre në 26.7 % të PBB në vitin 2024 dhe 2025.

Planifikimi i rritjes së të ardhurave tatimore në këtë kohë krize do të duhej të bazohej në rritjen e eficencës së administratës tatimore dhe doganore, minimizimin e shpenzimeve tatimore, uljen e evazionit dhe informalitetit në ekonomi dhe jo në rritjen e barrës fiskale për biznesin.
Rritja e të ardhurave të planifikuara për vitin 2023 është rezultat kryesisht i rritjes së çmimeve për sa i përket taksimit indirekt si TVSH, rritjes së barrës fiskale nga rritja e akcizës në industrinë e pijeve, të taksimit të profesioneve të lira, dhe të taksimit special të energjisë, etj.
Paketa fiskale e propozuar do të ketë efekte negative për ekonominë, prodhimin vendas dhe punësimin, dhe do të rrisë më tej rrezikun e evazionin fiskal, sepse:
1. I jepet një goditje prodhimit vendas së industrisë së pijeve si rezultat i rritjes së akcizës, uljes se punësimit dhe rritjes se importeve

2. I jepet një goditje prodhimit të energjisë elektrike duke i vendosur një taksim special me tarifën shtesë 33% të fitimit
3. Do të rritet më tej rreziku i evazionit fiskal me vendosjen e gjobave në 10 fish të dëmit të shkaktuar
4. Paketa fiskale e propozuar do të rrisë barrën fiskale për profesionet e lira deri në 23%
Rritja e të ardhurave duhej të shoqërohej me një plan masash për të rritur të ardhurat:
1. Nga ulja e informalitetit në ekonomi, e cila vlerësohet në mbi 33% nga institucionet ndërkombëtare
2. Nga ulja e informalitetit në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore e vlerësuar në 38% të numrit të fuqisë punëtore aktive
3. Nga heqja e përjashtimeve (në total përjashtimet ose shpenzimet tatimore vlerësohen rreth 87 miliard), të cilat nuk janë efikase dhe eficente nga pikëpamja ekonomike dhe sociale
4. Nga ulja e evazionit fiskal

Planifikimi i shpenzimeve publike
Konsolidimi fiskal në krahun e shpenzimeve është propozuar të realizohet kryesisht nga kontrolli mbi shpenzimet e pagave, të pensioneve dhe të pagesave të tjera sociale.

Koston e konsolidimit fiskal do ta mbajnë punonjësit dhe shtresat më në nevojë. Buxheti pasqyron një shpërndarje disproporcionale të burimeve dhe prekjen vetëm të shpenzimeve sociale sepse:
1. Nuk ka rritje të pagave të punonjësve të administratës shtetërore për vitin 2023, pavarësisht se rritja e çmimeve ka vazhduar të jetë e lartë dhe do të jetë përsëri në vitin 2023
2. Rritje të pagës ka vetëm arsimi dhe shëndetësia në masën 6%, e cila dhe vetë kjo është përsëri e pamjaftueshme për të mbuluar nivelin e indeksimit të tyre nga rritja e çmimeve
3. Rritja e pensioneve është qesharake, përderisa për vitin 2023 është parashikuar një fond prej 1.2 miliard lekë ose një rritje prej 0.7%
4. Rritja e ndihmës ekonomike dhe e paaftësisë në 10% në vitin 2023 është e pamjaftueshme për të nxjerrë këto familje nga varfëria ekstreme
5. Nuk ka rritje për pagesat e papunësisë
6. Nuk ka të parashikuar asnjë fond për mbështetjen e familjeve dhe shtresave më të varfra nga rritja e mëtejshme e çmimeve në vitin në vazhdim dhe në vitin 2023
7. Rritja për Ministrinë e Arsimit për vitin 2023 është planifikuar vetëm 3.8% krahasuar me buxhetin e viti 2022. Në përqindje të PBB, buxheti i Ministrisë së Arsimit ulet nga 2.2% e PBB në vitin 2022, në 2.1% e PBB në vitin 2023.
8. Rritja e buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë është planifikuar të rritet vetëm në 1.3%. Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është ulur nga 3.75% e PBB në vitin 2022 në 3.58% e PBB në vitin 2023.
Kur ndërkohë nuk është ndjekur një politikë më balancuese për të arritur konsolidimin fiskal për sa i përket zërave të tjerë të shpenzimeve publike. Përkundrazi shpenzimet kapitale për investime dhe për financimin e projekteve PPP janë në rritje duke krijuar dhe një raport të disbalancuar ndërmjet shpenzimeve korrente dhe atyre kapitale.

Gjithashtu janë në rritje mbështetja e sektorit të energjisë për të mbuluar keq administrimin financiar të sistemit energjetik si dhe kosto e shërbimit të borxhit.
1. Shpenzimet për investimet me financim të brendshëm rriten nga 58.5 miliard në vitin 2022 në 70.6 miliard në vitin 2023, ose në masën 20.6%, ku nga këto do të vazhdohet të financohen projektet PPP me mbështetje buxhetore ne nivelin e 13.5 miliard leke ose ne rreth 115 milion Euro
2. Projektet PPP planifikohen të rriten dhe për 7 projekte të tjera në vlerën 109.7 miliard lekë, ose në rreth 92 milion euro
3. Planifikimi i shpenzimeve për sektorin e energjisë në 12 miliardë lekë, ku një pjesë e këtij fondi do të shërbejë për të adresuar keq administrimin financiar të këtij sektori
4. Në rritjen e kostos së interesave të borxhit dhe shërbimit të tij. Shpenzimet për interesat do të rriten nga 50.7 miliard lekë në vitin 2022 në 60.9 miliard lekë në vitin 2023
5. Shpenzimet për ripagesat e borxhit do të rriten nga 42.5 miliard lekë në vitin 2022 në 80.3 miliard lekë në vitin 2023.
6. Totali i kostos së shërbimit të borxhit në vitin 2023 do të arrijë një shumë rekord në vitin 2023 në 136.4 miliard lekë, ose në rreth 1.15 miliard euro me një rritje në 69% krahasuar me vitin 2022.
7. Totali i kostos së shërbimit të borxhit do të jetë pothuajse i barabartë me buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë të marra së bashku për vitin 2023
8. Kosto e shërbimit të borxhit në periudhën 2014 – 2022 kalon shumën e 650 miliard lekë, pothuajse e barabartë me buxhetin e vitit 2023

Amendamente që do të kërkohen:
1. Anulimin e rritjes se akcizës për prodhuesit e birrës dhe të verës vendas të vegjël, për arsye se rritja e saj dëmton prodhimin vendor, rrit papunësinë dhe favorizon importin e këtyre produkteve. Ky unifikim i akcizës vjen ne kundërshtim me direktiven 92/84/KEE te BE dhe i vendos keta prodhues ne dizavantazh te thelle me prodhuesit e mëdhenj.

2. Shtyrjen e vendosjes së taksimit për profesionet e lira deri në kalimin e krizës për të mos renduar në mënyrë të menjëhershme rritjen e bares fiskale ne këtë periudhe dhe për të mbështetur rritjen e kapitalit njerëzor aq të domosdoshëm për zhvillimin e vendit

3. Anulimin e vendosjes së gjobave në 10 fish për shkelje administrative e cila konsiderohet si një ndryshim ligjor antikushtetuese dhe nuk merr në konsideratë parimin e proporcionalitetit.

Amendamentet e arsimin:
1. Do të kërkojmë mbështetje financiare për studentët, 100 euro në muaj për të përballuar krizën e çmimeve dhe kostove studentore, për t’i barazuar me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.
(Për studentët nuk është parashikuar asnjë mbështetje financiare në Pr.buxhetin e 2023)

2. Do të kërkojmë mbështetje për kërkimin shkencor, që të shkojë të paktën në 0,3% e PPB siç kanë kërkuar edhe pedagogët.
(Në Pr.buxhetin 2023 është parashikuar vetëm 0.05% PPB )

3. Do të kërkojmë rritjen e pagave të pedagogeve 50% brenda dy viteve, ndaj në projekt buxhetin e 2023 do kërkojmë që rritja të jetë 20% nga buxheti shtetit sipas kërkesave të Sindikatës Kombëtare të Pedagogëve.
(Në Pr. buxhet është parashikuar vetëm 7% rritje page për pedagoget)

4. Do të kërkojmë rritjen e pagave 12% të mësuesve duke filluar nga 1 janari për të përballuar rritjen e çmimeve dhe koston e jetesës.
(Në Pr.buxhet është parashikuar rritje page për mësuesit 6% i cili fillon në Korrik 2023)

5. Do të kërkojmë pajisjen me tekste të reja shkollore falas, çdo vit, për nxënësit nga klasa I deri në klasën e IX.
(Në Pr. buxhet parashikohen libra falas të përdorur)

Për shëndetësinë
1 – Do të kërkohet rritja e pagës së mjekëve në masën 12% duke filluar nga 1 janari

Për Bujqësinë
1. Heqja e TVSH për imputet bujqësore.
2. Lënien e tavanit prej 50 milionë lekë investim, për përfitimin e uljes së TVSH të makinerive bujqësore.
3. Një shtesë prej 5 miliardë Lekë, për mbështetjen e prodhimit bujqësor-blegtoral, agroindsturial dhe marketingut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb