Partia e Lirisë mbajti këtë të shtunë tryezën me temë “Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave – garanci për një të ardhme më të mirë për vendin”.

Në fjalën e tij, kryetari i PL Ilir Meta u shpreh se konventa e 27 prillit është shumë e rëndësishme, pasi shumica e të ftuarave dhe gjysma e pjesëmarrëseve do të jenë gra e vajza.

Ai tha se pa ndihmën e tyre nuk ndalohet dot shfarosja e Shqipërisë dhe zhbërja e identitetit tonë kombëtar. Edhe në takimin e sotëm, sikurse edhe dje në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, Meta nuk i ndali ironitë dhe kritikat brenda PL, pasi tanimë ka shpallur platformën kundër nepotizmit.

“Do t’i mbështes shumë gratë si Margaret Thatcher, por që u kemi vendosur strekëmbësha, shumë për fat të keq. I dua gratë që janë burra në karakter. Nuk ka më gjë të rrezikshme se gratë që janë xheloze për gratë. Kisha disa gra që më thonin mos fol për Vasil Laçin dhe Vojo Kushin sepse nuk është në modë se të rinjtë nuk e kuptojnë. Pse flet për Vojo Kushin e Mujo Ulqinakun, se nuk flasim për këta ne se e kemi mendjen tek ato çantat e shtrenjta, vathët e shtrenjtë, orët e shtrenjta, takat e larta, ndaj po na ikin të rinjtë. Vasil Laçi u bë hero sepse kishte një nënë heroinë. Po kush mbahen mend. Shqiptarët servila me lule? Në Konventën e 27 prillit, gratë në PL do shpërthejnë e do afrohen shumë të tjera. Njoh shumë gra të jashtëzakonshme në Shqipëri”, tha ai.

Një ditë më parë Ilir Meta u përplas me Monika Kryemadhin në mbledhjen e Komitetit Drejtues, bashkëshorten e tij e cila e akuzoi se po tenton të presë koka në PL dhe se imazhin e tij po e keqpërdorin persona që e këshillojnë keq. Meta u përgjigj duke pretenduar se ka patur tentativë sabotimi brenda Partisë së Lirisë duke atakuar indirekt Kryemadhin në krye të kësaj përpjekje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb