Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se po ndiqet me shumë vëmendje dialogu midis Prishtinës e Beogradit, ndërsa shtoi se PL vlerëson angazhimin e SHBA dhe BE për një çështje kaq të rëndësishme për rajonin.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta tha se partia që ai kryeson nxit të gjithë aktorët të angazhohen në të gjitha mënyrat për realizimin e të ardhmes europiane.

Postimi i plotë:

Partia e Lirisë i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, duke besuar gjithmonë se nëpërmjet dialogut, bisedimeve dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mund të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme, në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.

Partia e Lirisë vlerëson angazhimin e SHBA dhe BE për një çështje kaq të rëndësishme për rajonin tonë dhe për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Partia e Lirisë nxit të gjithë aktorët të angazhohen në të gjitha mënyrat për realizimin e të ardhmes tonë europiane.

Sfida e të gjithë rajonit tonë është rikthimi i besimit të rinisë, për të qëndruar dhe ndërtuar shtete funksionale, në një rajon që jeton në paqe, prosperitet dhe të integruar tërësisht në familjen europiane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb