Analisti Skënder Minxhozi deklaroi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se Shqipëria ka nevojë për një set shumë të fortë rregullash, si duhet të funksionojnë partitë politike.

Teksa komentoi lobimin e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në SHBA, analisti tha se partitë e mëdha bëjnë namin gjatë fushatave elektorale, ndërsa KQZ çon letra për partitë e vogla, duke iu kërkuar të kthejnë lekët, nëse nuk arrijnë numrin e votave.

“Këtu ka një numër të pafund Bilalësh, që i kemi ditur dhe s’i kemi thënë. Ndërkohë që amerikanët hetojnë e dënojnë njerëz për fushatat, ne nuk e çuajmë krim të mos deklarosh nga vijnë paratë për fushatat.

Ne kemi nevojë për një set shumë të fortë rregullash, si duhet të funksionojnë partitë. Partitë e mëdha bëjnë namin, ndërsa KQZ çon letra për partitë e vogla, të kthejë lekët, nëse nuk arrin numrin e votave. Ne nuk kemi asnjë rregull, se këtu dalin dhe paret për foto, për lobime, etj. Këtu nuk zbatohet ligji nga të gjithë”, u shpreh Minxhozi.

Më tej, analisti deklaroi se politika amerikane kapet te parimet dhe jo te detajet. Ndër të tjera, ai theksoi se armët kimike ishin keqmenaxhimi më i madh i Edi Ramës, pasi sipas tij, la në errësirë gjithë pjesën tjetër të politikës, që nga Ilir Meta, Bujar Nishani që ishte President, dhe opozita, dhe në fund u përball me furtunën.

“Nuk ka politikë amerikane. Aktualisht politika amerikane kapet te parimet, që janë: Nuk merret pushteti me dhunë, nuk shtyhen zgjedhjet, nuk mund të ikë njëra palë. Ata nuk janë kapur te detajet. Rama është sorosian i kulluar dhe duhet t’i kishte disavantazhet me ardhjen e Trump. Por, amerikanët kanë parime dhe ecin sipas tyre. Dhe një detaj tjetër, që kemi 3 mijë muxhahedinë.

Amerikanët kanë një problem të hapur këtu me opozitën iraniane, që e kanë zgjidhur qeveritë shqiptare. Armët kimike kanë qenë keqmenaxhimi më i madh i mundshëm që ka bërë Edi Rama. Donte të merrte lavdinë për vete, nuk i tha asnjë fjalë Ilir Metës, as opozitës, i la të gjithë në errësirë dhe javën e fundit, kur u majis, u gjet përballë të gjithë këtyre personave që i kishte injoruar, dhe aty u krijua një furtunë”, deklaroi ai.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb