Gazetari Endri Xhafo, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 nga moderatorja Ina Qirjo, komentoi aktualitetin politik në vend, në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Xhafo, duke folur për votën e diasporës, deklaroi se PD ka kërkuar që të votojnë në zgjedhje të gjithë ata shqiptarë që kanë lindur në diasporë, edhe pse nuk kanë dokumente. Ai tha se diçka e tillë edhe mund të bëhet teknikisht, por është kërkesë pak e ekzagjeruar, pasi një qytetar që nuk ka shprehur interes të marrë dokument shqiptar, vështirë që të kishte interes të votojë. Në lidhje me partitë e reja, Xhafo u shpreh se do ishte sukses nëse ata do arrijnë të kenë përfaqësues në Kuvend.
“PD pretendon se të gjithë ata shqiptarë që kanë lindur në diasporë dhe nuk kanë dokumente shqiptare, të votojnë. Mendoj se duhet që të votojnë ata shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që iu kanë skaduar dokumentet. PD kërkon që të zgjerojë numrin e qytetarëve që votojnë. Nuk është problem i identifikimit. Por, problemi është tek morali, pasi nëse ti si qytetar nuk ke marrë ndonjëherë hapin të kesh dokument identifikimi, nuk besoj se ke shumë interes të votosh. Partitë janë angazhuar për të fituar sa më shumë vota në diasporë. Vota e diasporës është e panjohur e madhe. Do ishte sukses për partitë e reja nëse do futeshin në parlament. Besoj se partitë e reja shpresojnë edhe tek vota e diasporës, pasi po bëjnë takime në vende të botës ku jetojnë shqiptarë. Sa më shumë personazhe të rinj të jenë në parlament, më mirë do ishte”, tha Xhafo.
Më tej, Xhafo shtoi se partitë e mëdha, PS e PD kanë marrë thuajse të njëjtat vota në zgjedhje gjithmonë dhe se kjo pritet të ndodhë edhe këtë herë. Sipas tij, SPAK nuk mund të ketë rol determinant në rezultatin e zgjedhjeve.
“Mendoj se kryeministri Rama nuk do marrë shumicën e cilësuar. A do ndikojë SPAK që të fitojë opozita sepse janë arrestuar funksionarë të lartë në qeveri? Nuk besoj. Sikundër nuk besoj që SPAK mund të ndikojë që të fitojë Rama, sepse Meta është në burg. Partitë e mëdha kanë marrë thuajse të njëjtat vota gjithmonë”, u shpreh Xhafo.
Për Xhafon, nëse Berishës i hiqet non grata nga administrata e Donald Trump, ky veprim do të kishte ndikim real në zgjedhje.
“Nëse Berishës i hiqet non grata, do kishte ndikim real në zgjedhje. PS për mua sot është më favorite për të fituar zgjedhjet, por nëse hiqet non grata për Sali Berishën, atëherë diferenca mund të ishte më e ngushtë. Nëse Sali Berishës nuk i hiqet non grata, do të mbetemi në të njëjtat argumente, që kemi përdorur gjithmonë”, përmbylli Xhafo.
(Balkanweb)