TIRANE- Partitë opozitare jo parlamentare janë ulur në një tryezë, ku kanë parashtruar disa kërkesa. Gazetari Klajdi Bodlli raporton për ‘BalkanWeb’ se ata kanë kërkuar njëzëri që të përmbyllet reforma zgjedhore.

Sipas këtyre partive, kjo reformë duhej të udhëhiqej nga OSBE.

“Përfaqësuesit e rreth 20 partive politike joparlamentare dhe të shoqërisë civile që kërkojnë zgjedhje të barabarta dhe të lira, u mblodhën sot në një tryezë në Tiranë, me shqetësimin e thellë pse Shqipëria nuk ka arritur përparimin e duhur drejt demokracisë dhe deklaruan se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme.

Tryeza e sotme e partive politike, me bashkëkryetarë z.Koço Kokëdhima, kryetar i partisë ZGJIDHJA dhe Arben Tafaj nga Partia Agrare Ambientaliste, në prani të drejtuesve të partive opozitare dhe të shoqërisë civile konstatoi se reforma zgjedhore është një kusht themelor që Shqipërisë t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian në qershor 2019. PS dhe PD janë në bashkëpunim dhe mbajnë peng zgjedhjet. Vendi nuk integrohet në Europë pa kryerjen e reformës zgjedhore. Shqipëria qeveriset nga një rregjim hibrid, nuk ka një demokraci të vërtetë parlamentare e pluraliste, sovraniteti i popullit dhe sundimi i ligjit janë zëvendësuar nga marrëveshja mes partive të vjetra.

Tryeza e sotme e partive politike që duan zgjedhje të barabarta dhe të lira kërkoi që Reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së. Ajo duhet të përfundojë këto muaj që të jetë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Makinacionet e partive të vjetra në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore për të mos prekur Kodin aktual Zgjedhor në këmbim të votës së emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet për pushtetin vendor, kanë për qëllim të pengojnë reformimin e qenësishëm të zgjedhjeve të vitit 2019. Këto zgjedhje duhet të bëhen me ligjin dhe kodin e ri zgjedhor.

Ajo kërkoi që partitë e vjetra politike nuk duhet të kenë më akses të privilegjuar në administrimin e zgjedhjeve. Ato janë përgjegjëset kryesore të shkatërrimit të standarteve të zgjedhjeve në Shqipëri. Procesin zgjedhor duhet ta drejtojë një administratë zgjedhore shtetërore, e pavarur dhe jopartiake si në të gjitha vendet demokratike në rajon dhe më gjerë, prandaj partitë e vjetra nuk mund të vazhdojnë të numërojnë votat e partive të tjera. Të drejtat e çdo partie duhet të jenë të barabarta në raport me administratën dhe në procesin zgjedhor.

Kodi i ri zgjedhor duhet të garantojë futjen e teknologjisë në votime, identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit. Nuk mund të vazhdojë transporti i kutive të panumëruara. Çdo votë duhet të numërohet në qendrat e votimit. Kodi i ri elektoral duhet të garantojë realisht e plotësisht përmbushjen e të drejtës kushtetuese të çdo qytetari shqiptar për të zgjedhur e për t’u zgjedhur lirisht. Reforma zgjedhore duhet të realizohet me transparencë përmes një procesi të hapur e gjithëpërfshirës dhe jopërjashtues e në dëm të partive të reja. Në diskutime duhet të përfshihen të gjitha partitë politike në vend.

Kodi i ri zgjedhor duhet t’i shpëtojë zgjedhjet nga monopolet dhe oligopolet e partive të vjetra dhe nga paratë e krimit, korrupsionit dhe oligarkëve të lidhura me to. Ky kod duhet të garantojë jo vetëm lirinë e konkurencës dhe të përfaqësimit të qytetarëve, individëve dhe partive e grupimeve politike, por edhe përfaqësimin e drejtë me mandate në kuvend e në këshillat bashkiake të votës propocionale të popullit. Tryeza falenderoi shoqërinë civile që është bashkuar me kauzën e reformës zgjedhore dhe pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe fton të gjithë shoqërinë civile dhe inteligjencën e vendit që t’i bashkohet kësaj kauze jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për fatet e popullit.”, thanë partitë opozitare jo parlamentare.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb