Një numër rregullash të vendosura në ndryshimet e shumta të kodit zgjedhor për të rritur transparencën dhe kontrollin e financimit të zgjedhjeve duket se janë injoruar në masë nga partitë politike që garuan në zgjedhjet e vitit 2019 ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se është në proces të analizimit të shkeljeve para se të caktojë masat që do të marrë

Më 17 Tetor 2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur në një konferencë për shtyp se nga 36 parti që morën pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor të atij viti, 16 prej tyre injoruan kërkesat ligjore për të deklaruar të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës elektorale. Sipas deklaratës, këto parti “nuk e kanë zbatuar ligjin”.

Ligji, të cilin këto parti nuk e kanë zbatuar është Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i miratuar me kompromis politik në vitin 2003 dhe i ndryshuar disa herë që nga ajo kohë. Ai i kërkon partive politike të mbajnë regjistër të posaçëm për dhuruesit, si dhe shpenzimet përkatëse të kryera. Partitë duhet të hapin një llogari bankare të posaçme për pranimin e dhurimeve mbi 100 mijë lekë dhe se ky numër llogarie duhet të deklarohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe të publikohet prej këtij të fundit.

Ligji mbart disa sanksione të rënda për ato parti që “nuk e zbatojnë” këtë ligj, veçanërisht sa i përket dispozitave të financimit të fushatës zgjedhore. Sipas ligjit, “refuzimi për të bërë transparent burimet e financimit të fushatës, apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e auditit, dënohet me gjobë nga 2,000,000 lekë deri në pezullimin për 5 vjet të financimit publik për partinë politike.”

 

Por afro pesë muaj pas përfundimit të afatit të dorëzimit të bilanceve si dhe konstatimit të kësaj shkeljeje nga ana e vetë KQZ-së, asnjë nga të gjashtëmbëdhjetë partitë që nuk kanë deklaruar bilanc nuk rezulton të jetë ndëshkuar as me gjobë dhe as me pezullim të financimit publik.

Së paku një nga gjashtëmbëdhjetë partitë që injoruan detyrimin për të deklaruar, qoftë edhe formalisht, të ardhurat dhe shpenzimet, është përfituese e fondeve të buxhetit të shtetit. KQZ ka në fuqinë që përveç gjobës, të ndalojë parti të tilla nga përfitimi i fondeve buxhetore për pesë vite nga data e shkeljes.

Pyetur nga BIRN, KQZ tha se “verifikimi i financave të partive politike për fushatën zgjedhore 2019 është akoma në proces,” ndërsa rezultatet e verifikimit do të bëhen publike më vonë.

Mosdeklarimi nuk është shkelja e vetme që dallohet në kriteret e vendosura nga Kodi Zgjedhor mbi transparencën e financimit të partive politike. Një kriter tjetër është ai që, për llogari të lehtësisë së kontrollit, i imponon partive politike detyrimin për të hapur një llogari bankare të posaçme për pranimin e kontributeve private në fushatë elektorale. Këtë detyrim e kanë të gjitha partitë, të mëdha dhe të vogla, ndërsa dështimi për të bërë diçka të tillë sanksionohet me gjobë. Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 9 nga 36 partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2019 kanë bërë diçka të tillë. [Link]

Akoma më tutje, ndonëse 20 parti dorëzuan formalisht një raport financiar, KQZ “riktheu për plotësim” 13 prej tyre ndërsa pranoi si të mirëqena vetëm shtatë raporte. Kodi zgjedhor nuk parashikon një masë të tillë jondëshkuese të “kthimit të formularit për plotësim”, por KQZ është një institucion i përbërë nga juristë të emëruar nga partitë e ndryshme politike në pushtet dhe si i tillë, përgjatë viteve ka dëshmuar për “interpretim krijues” të ligjit.

Akoma më tutje, gjashtë nga partitë që deklaruan financat e veta kanë dorëzuar një bilanc me vlerë zero për fushatën elektorale. Me një fjalë, gjashtë parti garuese në zgjedhje kanë pasur zero të ardhura dhe zero shpenzime ndërsa disa parti të tjera kanë deklaruar të ardhura por nuk kanë deklaruar shpenzime.

Së paku dy parti, përfshirë edhe Partinë Socialiste, duket se kanë sfiduar ligjet e probabilitetit duke pasur gjatë fushatës saktësisht të njëjtën shumë të ardhurash me shpenzimet. Me një fjalë, PS deklaron se ka pasur të ardhura totale nga fonde publike dhe private në masën 79,042,334 lekë ndërsa shuma e faturave të paguara për fushatën është saktësisht 79,042,334 lekë. [Link]

Gjithashtu, së paku dy parti, Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi dhe Partia SocialDemokrate, kanë deklaruar si të ardhura pagesat që kanë marrë nga buxheti i shtetit, por nuk kanë deklaruar shpenzime. Kështu, PSD ka deklaruar të ardhura nga fondet publike në masën 2.26 milionë lekë ndërsa ka lënë bosh të gjithë treguesit e tjerë.

Partia Bindja Demokratike ka dorëzuar një raport në të cilin, në faqen përmbledhëse ku duhet të shënohen të ardhurat dhe shpenzimet është shënuar – në të gjitha zërat, gjë gjë nënkupton zero, por më poshtë në raport ka shënuar të ardhura dhe shpenzime pjesërisht në lekë dhe pjesërisht në euro duke shkelur një nga maksimat më të rëndësishme të kontabilitetit, atë të raportimit në një monedhë të vetme.

Në total partive politike në Shqipëri, nëse marrim si të mirëqena raportet e mësipërme, u kushtuan zgjedhjet pa garë të vitit 2019 afro 83 milionë lekë. Nga këto, 95% janë fonde të shpenzuara nga Partia Socialiste ndërsa pjesa tjetër e partive ndanë pjesën tjetër. /Reporter.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb