Në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Kukësit, në orën 16:45, në stadiumin “AIR Albania”, e vlefshme për javën e 23-të në Kategorinë Superiore, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, i cili ka analizuar këtë sfidë për të kuqtë:

Arbitrimi – “Është e vështirë të gjykoj arbitrin, janë evidente gabimet se ndikojnë në rezultat se ishte në minutën e gjashtë që nuk na u dha një penallti. Ndodhi edhe në minutën e 40. Më pas unë gjykoj sjelljen e skuadrës në fushë. Junior ka eskperiencë dhe luan larg portës ndërsa Skuka është i ri dhe prodhon, por duhet të jetë më efikas para porte dhe të jetë më altruist.”

Ndeshja ndaj Kukësit – “E respektojmë skuadrën e Kukësit se ka element të mirë, çdo kundërshtar na imponon respekt dhe mendoj që nesër do të jetë një tjetër histori. Kemi përgatitur të marrim masat për pikat e forta dhe të dobëta të Kukësit për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.”

Filozofia – “Ne stërvitemi për të fituar se jemi Partizani dhe filozofia jonë është që skuadra të jetë imponuese në fushë. Shpresoj të jetë një futboll i hapur dhe i shpejtë, skuadra duhet që të mos i japë iniciativë kundërshtarët dhe të jemi ne që vendosim rezultatin.”

Dëmtimet – “Hadroj ka pasur probleme të vazhdueshme, Skuka ka pasur një goditje në shpatull në ndeshjen ndaj Dinamos. Sot do të vendosim për Hadroj por ai rrezikon.”

Cinizmi dhe mentalitet fituesi në ndeshje – “Çdo ndeshje ka historinë e saj dhe nuk duhet merremi me kundërshtarin nëse ka bërë mirë apo keq, ne duhet të jemi cinikë dhe të kemi mentalitet fituesi ndaj çdo kundërshtari. Të mësojmë nga gabimet tona se kemi shpërdoruar shumë dhe të mos arrish të konkretizosh është pak e vështirë. Nuk duhet të kemi probleme në finalizim.”

Formacioni – “Unë skuadrën dhe formacionin e bëj në varësi të kundërshtarit por edhe cilësive që kemi, Kallaku mund të japë pasimin e fundit. Skuka në zona të ngushta e ka pak të vështirë, është i ri dhe nuk e ka të lehtë të përshtatet.”

Aspekti taktik – “Mala është shumë i mirë në aspektin teknik dhe krijon epërsi numerike dhe janë manovra të cilat jam munduar t’i aplikoj. Dinamo u tërhoq shumë mbrapa, kjo është vështirësia e futbollit pasi duhet gjetur rruga jo vetëm kur kundërshtari lë hapësira. Lojtarët duhet të kuptojnë që të jenë të duruar, pasi nxitimi të dërgon në gabim.”

Rëndësia e sfidave – “Është ndeshja e radhës dhe duhet të marrim rezultatin edhe duke qenë cinikë. Kemi qenë imponues ndaj kundërshtarëve, por duhet të respektojmë veten para porte. Partizani është legjenda e futbollit shqiptar dhe do të jetë gjithë kohën në presion, pavarësisht situatës apo tranzicionit. Trajneri, klubi dhe lojtarët duhet ta kuptojnë sa e rëndësishme është fanella e Partizanit.”, përfundoi Dritan Mehmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb