Xhuliano Skuka është një nga temat më të nxehta të merkatos te Partizani. Në drejtim të tij deri më tani kanë mbërritur disa oferta, por duket se klubi është i vendosur ta mbajë, i ndikuar nga shanset e mëdha për të fituar titullin kampion.

Oferta nga SHBA-ja tashmë është harruar plotësisht, teksa kanë rënë edhe pista të tjera nga Seria B dhe Kroacia. Dëshira e të kuqve është që ta mbajnë dibranin dhe vetëm një ofertë jashtë realitetit shqiptar do të bënte që të kuqtë të hiqnin dorë nga lojtari më i mirë dhe më i vlefshëm i skuadrës.

Skuka disa herë është shprehur se ndihet mirë dhe nuk dëshiron të largohet pa fituar më parë titullin nga Partizani. Grumbullimi në Kombëtare dhe goli ndaj Armenisë në miqësore kanë rritur kredencialet e Skukës, me vlerën e kartonit të tij, duke shkuar deri në 500 mijë euro.

Deri më tani ka shënuar 10 gola në kampionat, ku i fundit në derbi vleu shumë për fitoren e Partizanit. Sulmuesi 24-vjeçar është vetëm 1 gol larg shënuesit më të mirë Xhixhës, teksa shpreson që në pjesën e dytë të sezonit jo vetëm të shpallet kampion me Partizanin, por në fund të rrëmbejë edhe “Këpucën e Artë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb