Ndëshkimet për kapitenin e Partizanit nuk kanë të mbaruar, pasi pas pezullimit në ndeshjen ndaj Laçit vjen edhe ndëshkimi financiar për portierin. Moszbatimi i rregullave të brendshme do t’i kushtojë 2 mijë euro Alban Hoxhës, gjobë e cila i është komunikuar dje “gardianit”.

Luçiano Moxhi e ka nisur me dorë “të hekurt” mbretërimin e tij te Partizani, pasi që në start u bë shembull kapiteni Alban Hoxha, duke e pezulluar për premierën e kampionatit. Shkak u bë thyerja e disiplinës, ku pas ndeshjes Moxhi tregoi rregullat që kishte thyer portieri.

Kthimi me vonesë nga dy ndeshjet e Kombëtares, si dhe largimi pa leje nga grumbullimi i ekipit, një natë para ndeshjes me Laçin, ishin shkaqet që i detyruan drejtuesit e klubit për të marrë vendimin ndëshkues ndaj portierit. “Në një klub futbolli ka rregulla që janë për t’u respektuar dhe të gjithë duhet t’i respektojnë.

Ne preferuam të marrim përsipër edhe riskun, pasi më mirë të humbasësh një ndeshje dhe t’u përmbahesh rregullave. E rëndësishme është që të ndjekim rregullat e klubit. Kohëzgjatja e dënimit?

Ndëshkimi mbaroi me ndeshjen me Laçin, pasi qëndroi në pankinë. Sigurisht që do të ketë edhe masa financiare dhe tashmë shpresojmë ta ketë kuptuar se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin në klubin tonë”, kështu u shpreh

“Big Luçiano” pas ndeshjes me Laçin. Dje është bërë realitet edhe gjobitja e portierit, gjë të cilën Moxhi e paralajmëroi pas Laçit. 2 mijë euro është flet-gjoba e parë e epokës “Moxhi”, e cila i është faturuar kapitenit të skuadrës, Alban Hoxha. Me këtë vendim drejtuesit italianë japin një mesazh edhe për pjesën tjetër të skuadrës, pasi kur bëhet shembull kapiteni, për të tjerët nuk do të pyetet fare.

KUSHTI SHTESË

Problemet për kapitenin e “demave” nuk kanë mbaruar vetëm me gjobën e vendosur dje, pasi Luçiano Moxhi ka edhe një kusht tjetër për portierin. “Panorama Sport” ka mësuar se ishdrejtori juventin i ka thënë portierit që të kërkojë falje para ekipit për shkeljen që ka bërë, përndryshe ai nuk do të luajë me Partizanin.

“Po nuk kërkove falje para shokëve të skuadrës, sa të jem unë te Partizani, ti nuk do të luash më”, kështu mësohet se i është drejtuar Moxhi kapitenit Hoxha. Mosaktivizimi në Kupë edhe mund të pritet, për vetë nivelin e kundërshtarit, por nëse nuk luan ndaj Kukësit i bie që portieri nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Moxhi.

Gjithsesi, nga ajo që u pa në seancën e djeshme, Alban Hoxha ishte rreshtuar te grupi që mendohet se do të jenë titullarë sot në ndeshjen e Kupës ndaj Naftëtarit. Seanca e djeshme ka lënë të kuptohet se Partizani i është kthyer normalitetit./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: