TIRANE– Pak ditë para fillimit të sezonit të ri, pranë klubit të Partizanit kanë filluar të dëgjohen zëra për një lëvizje të bujshme në pankinë. Nëse të kuqtë nuk tregojnë menjëherë superioritet ndaj rivalëve për titull, italiani Sormani mund të sakrifikohet, për t’i bërë vend Mirel Josës, i cili për momentin është pa skuadër pas largimit nga Skënderbeu.

Por vetë klubi i kuq ka nxituar që të mbyllë çdo diskutim rreth të ardhmes, duke saktësuar se Sormani ishte i paprekshëm dhe do të vazhdonte të drejtonte ekipin. Në një postim në rrjetet sociale, Partizani ka njoftuar se klubi nuk vinte në dyshim vazhdimësinë e italianit të cilit i është vënë si objektiv titulli kampion.

Reagimi i Partizanit

ADOLFO SORMANI ËSHTË DHE MBETET TRAINER I PARTIZANIT

Klubi reagon për të disatën herë ndaj lajmeve të pavërteta që publikohen nga mediat e shkruara në adresë të Partizanit. Klubi përgënjeshtron lajmin për një largim të mundshëm të Adolfo Sormanit, ai është dhe do të vazhdoj të jetë trajneri i skuadrës.

Jemi të bindur se falë punës profesionale të tij dhe stafit , Klubi do të kurorëzoj me sukses objektivin madhor fitimin e titullit në fund të kampionatit. Mediat e shkruara dhe pseudo portalet vijojnë të dizinformojnë opinionin sportiv në veçanti popullin e kuq me lajme tendencioze dhe aspak korrekte në dëm të Partizanit.

Klubi i konsideron këto informacione të paqena dhe aspak profesionale, ndaj punës dhe objektivave madhor që ne synojmë të realizojmë në këtë sezon. Lajme të tilla thjesht kërkojnë të prishin harmoninë në skuadër. Saktësojmë se ekipi tashmë është tërësisht i fokusuar për të dhuruar një sezon prej kampionësh ashtu siç edhe pret me padurim tifozeria e jonë./panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: