Grushte në tunel, përplasje pas ndeshjes, vonesa, por jo vetëm. Në Superkupën e Shqipërisë, të zhvilluar dje në stadiumin “Elbasan Arena”, ndodhën nga të gjitha. “Panorama Sport” ju sjell pikantet.

* Në përfundim të pjesës së parë, gjatë hyrjes në fushë te dhomat e zhveshjes, ka plasur grushti midis dy futbollistëve, Bruno Telushit të Partizanit dhe Eduart Rrocës së Kukësit. Kanë qenë shokët e tyre që kanë bërë të mundur të ndahen dhe gjithçka të mos precipitojë për më tej. Nuk dihet pse lojtarët kanë arritur deri në atë pikë me njëri-tjetrin, por sigurisht që bëhet fjalë për një gjest të shëmtuar. Në fakt, gjithçka nisi në fushë gjatë pjesës së parë, kur lojtarët debatuan për një faull dhe ofenduan njëri-tjetrin.

telushi musolli

* Fundi i finales mes Partizanit dhe Kukësit pati edhe nerva. Sapo u dëgjua vërshëllima finale e arbitrit Hamiti, ishte mbrojtësi i Kukësit, Olsi Teqja, ai i cili gjendej në anë të fushës, pranë tribunës përkarshi. Ai u kap me disa tifozë të Partizanit në atë sektor të stadiumit dhe pasi shkëmbeu disa fjalë me ta, kaloi edhe tabelat e reklamave, duke shkuar deri te hekurat rrethues. U desh ndërhyrja e lojtarëve të Partizanit, por edhe të stjuartëve, për të qetësuar nervat e lojtarit, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohej. Mësohet se Teqja është ofenduar thuajse gjithë ndeshjen nga një grup tifozësh, prandaj dhe ka dashur të sqarohet.

* Pjesa e dytë filloi afro 15 minuta me vonesë, me lojtarët që prisnin në fushë për të mbërritur arbitrat dhe të startonte sfida. Mësohet se kjo vonesë ka ardhur për shkak të një problemi që gjyqtarët kanë pasur me kufjet e tyre, ku u është dashur t’i rregullonin dhe të mos kishin probleme me komunikimin gjatë pjesës së mbetur të sfidës.

* Kjo Superkupë ka qenë një dhuratë për të dy trajnerët respektivë. Partizani e fitoi titullin me Gegën, por u largua pas kampionatit, ndërsa Kukësi ngriti kupën me Gjokën, i cili u largua pas Kupave të Europës.

* Me sa duket, për Lerdën ishte shumë e rëndësishme kjo Superkupë, pasi edhe nxehmjen para ndeshjes nuk preferoi të qëndronte në stol si Duro, por të jepte udhëzimet në fushë.

* Është për të ardhur keq që dy skuadrat më të mira të futbollit shqiptar të ndiqen nga një numër i vogël tifozësh, ku u mbush vetëm gjysma e tribunës dhe pak fare sektorët e tjerë. Numri i tyre nuk shkonte më shumë se 2 mijë tifozë.

* Të dy trajnerët janë parë të nervozuar gjatë lojës, Duro ka ankesa për Hamitin si edhe për topat e gabuar të lojtarëve të tij. Me futbollistët e vet e ka edhe Lerda, i cili nuk u beson syve në topat që humbin.

* Për një faull të padhënë në favor të Partizanit, një tifoz i kuq e “ngatërron” kryesorin Hamiti me një ultras bardheblu, ku e thërret: “O mi bashkie”.

* Momenti më acarues i pjesës së parë për teknikun e Partizanit ka qenë shpërdorimi i rastit të Malës në të 32-ën, i cili nuk pason, por humbet topin dhe ndëshkohet me të verdhë. “Çfarë bën ky? Tre kundër dy dhe shkon e futet vetë, si nuk e pason”? Një frazë që përsëritet disa herë duke u kthyer nga pankina.

* Tifozët e kuq nuk e kanë shumë për zemër Solomonin. Pasi humbi disa topa në sulm, tifozët i kërkonin Lerdës që ta hiqte nga loja. E zëvendëson në pjesën e dytë pas golit të dytë të Kukësit, por edhe këtu e lanë nervat. Zëvendësimi ishte gati të bëhej pa u kryer goditja e dënimit, por italiani dha urdhër duke bërtitur që të prisnin.

* Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u la i vetëm sfidën e djeshme në tribunë. Dy presidentët e klubeve, Gaz Demi dhe Safet Gjici, nuk u panë fare në stadium, madje as drejtori i të kuqve, Olsi Rama.

* Franko Lerda nuk i mban dot emocionet te goli i tretë në shtesë i Braunit dhe vrapon për të festuar me lojtarët. E njëjta situatë edhe me golin e katërt, sërish nga Braun.

* Gjatë festimit të golit të tretë, dëmtohet afër syrit Lorenc Trashi dhe nuk mund të hynte në lojë pa mbaruar mjekimi. Minutat po kalonin dhe Lerda bërtiste për të mbaruar punë shpejt me mjekimin, sepse ishin me një lojtar më pak në fushë.

* Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, nuk ngurron të takojë disa prej lojtarëve të Partizanit në fund të ndeshjes, pasi më parë ka qenë trajner te të kuqtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb