X-si kundër Laçit, i treti radhazi, nxori në pah edhe një herë limitet e “demave”. Largimi i katër titullarëve, Cara, Rrapaj, Hadroj dhe Mba, dukshëm ka lënë në skuadër një gropë të madhe, mbi të gjitha në fazën sulmuese, reparti ku Veselinoviç nuk e ka stabilizuar ende. Ndaj Laçit në Kupë, të kuqtë thuajse nuk goditën asnjë herë kuadratin, një situatë e ngjashme edhe në kampionat, në takimin kundër bardhezinjve.
Tre të dhëna përbëjnë një fakt, fakt është që Partizani po kalon një mini-krizë, fakt është gjithashtu që reparti ofensivë nuk po funksionin. Në tre ndeshjet e fundit, Partizani ka realizuar vetëm një gol, 29 në total në 23 javë, sulmi më i dobët nga katër ekipet e para. Përpara derbit të kryeqytetit kundër Tiranës, Veselinoviç duhet të gjejë zgjidhje pasi ky është një derbi që duhet fituar për të ruajtur hapin e ekipeve kryesuese.
Në dy përballjet e para këtë sezon, në të dy rastet derbi me Tiranën ka përfunduar në barazim pa gola. Në letër ky është një derbi pa shumë histori, nëse i referohemi tabelës së klasifikimit pasi diferenca mes dy ekipeve është shumë e madhe, 17 pikë.
Nëse për Partizanin edhe një X-s është një rezultat i pranueshëm, për Tiranën ky është një derbi ku 3 pikët janë detyrim pasi bardheblutë ndodhen në zonën e kuqe, në vendin e parafundit. Lajmi i vetëm pozitiv është fakti që në 2 ndeshjet e fundit, me Shkëmbin në stol, ekipi ka shfaqur shenja jete pasi kanë arritur të marrin 4 pikë.
(BalkanWeb)