Partizani u kthye paraditen e djeshme në fushë, ku ka nisur tashmë zyrtarisht stërvitjen për ndeshjen e 1 prillit në orën 15:00 ndaj Teutës në “Niko Dovana”.

Misioni për ndeshjen ndaj durrsakëve ka nisur me mungesa të rëndësishme për shkak se katër lojtarë janë thirrur nëpër Kombëtare dhe Kolela do të duhet të bëjë pa ta të paktën deri më datë 28 mars. Hadroj është te Shqipëria, Matondo te Kongo, ndërsa Preka dhe Buxhelaj janë nën urdhrat e Alban Bushit në Kombëtaren Shpresa.

Përveç këtyre mungesave, nën urdhrat e Kolelës nuk ka qenë Valentino Murataj. Mesfushori ka marrë një ditë më shumë leje se pjesa tjetër e skuadrës. Ai ka vizituar të afërmit e tij në Itali dhe ditën e djeshme është kthyer në vendin tonë, teksa në seancën e sotme do të vendoset menjëherë nën urdhrat e trajnerit Kolela. E gjithë pjesa tjetër e skuadrës është gati, teksa edhe Telushi dhe Maget, që kanë pasur probleme fizike në javët e fundit, janë rikthyer të stërviten normalisht.

I vetmi shqetësim i Kolelës do të jetë gjendja në të cilën do të kthehen lojtarët e impenjuar nëpër kombëtare. Ditën e djeshme seanca ka qenë e orientuar në pjesën më të madhe tek aspekti fizik, pasi Kolela dhe stafi i tij janë munduar të sjellin në kushtet ideale lojtarët, të cilët vijnë pas pak ditësh pushim dhe gjendja fizike nuk është në nivelin e duhur. Deri më tani të kuqtë nuk kanë njoftuar, por nuk përjashtohet zhvillimi i ndonjë ndeshjeje miqësore në ditët në vijim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: