Partizani bëri mbrëmjen e djeshme një hap të madh drejt kualifikimit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Të kuqtë arritën të fitonin me shifrat 0-1 në Gjeorgji ndaj Saburtalos falë një goli të Tedi Carës në minutën e 47-të. Presidenti Gazment Demi e ka shoqëruar skuadrën hap pas hapi në këtë transfertë të largët dhe ka dhënë mbështetjen e tij për djemtë dhe stafin. Gjithsesi, jo vetëm në udhëtim, por edhe në ditët e fundit para ndeshjes, Demi është shfaqur në stërvitje dhe i ka reflektuar skuadrës qetësinë e tij, me qëllim heqjen e presionit, që në të tilla raste kthehet kundër. Pas ndeshjes nga Gjeorgjia presidenti i Partizanit dha një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ku u shpreh se është i kënaqur me rezultatin, megjithëse skuadra humbi edhe dy raste të tjera të pastra. Siç ai shprehet, nuk preferon të mburret me shpërblimet për skuadrën në raste suksesesh.

President, sa i lumtur jeni me lojën e skuadrës dhe sa ju kënaq rezultati i sotëm (djeshëm) ndaj Saburtalos?

Morëm rezultatin që deshëm, fitoren. Ndeshja shkoi mirë. Ekipi të jep entuziazëm me lojën e krijuar. Kemi bërë disa ndryshime nga sezoni i shkuar. Tani shpresojmë që të na shkojë mirë edhe në Tiranë. Skuadra më pëlqeu, e përgjithshmja ishte shumë mirë. Në pjesën e parë ishin shumë më mirë, më pas në pjesën e dytë pas golit, normalisht u tërhoqën dhe e zhvilluan lojën më mbrapa.

A do të ketë shpërblim për skuadrën në rast se skuadra ia del edhe në ndeshjen e dytë?

Kjo është një çështje konfidenciale, që ne nuk preferojmë t’i bëjmë të ditura për median dhe publikun. Që kur unë jam bërë president i klubit, Partizani nuk është mburrur ndonjëherë për shpërblime. Ata (lojtarët dhe stafi) bëjnë punën e tyre, unë bëj punën time, kjo është motoja e klubit të Partizanit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: