Shkëlqim Muça është një nga trajnerët, që titullin ka arritur ta sigurojë matematikisht në ndeshjen derbi, ashtu siç mund të bëjë Shehi sot në 18:45 në “Elbasan Arena”. Tirana e Muçës mundte Partizanin në maj të vitit 2007 dhe siguronte titullin e 23-të kampion. Muça ka dhënë një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ku ka treguar rëndësinë e kësaj ndeshjeje për ekipet, tifozët, por edhe për trajnerët.

A do të hakmerret dot Tirana për atë humbje të vitit 2019?

Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur. Nuk besoj se aktorët aktualë merren me të shkuarën. Hakmarrja në këto raste nuk ka sens. Problemi është tek objektivat që ka secili ekip. Partizani kërkon të fitojë me patjetër ndeshje, sepse do që të sigurojë Europën, i vetmi objektiv që ka. Tirana nga ana tjetër është më e qetë, sepse edhe po të mos e fitojë ndeshjen, kampionatin e ka mbyllur.

Kush do ta vuante më shumë një humbje në këtë ndeshje?

Në derbi të dyja tifozëritë duan të fitojnë, por Partizani e ka shumë më të rëndësishme në aspektin që duhet të kapë objektivin. Tirana nga ana tjetër kërkon që t’i ketë tifozët me vete. Po të fitojë derbin, kënaq tifozët dhe e siguron matematikisht titullin.

Si fitohet një derbi?

Një ndeshje derbi i do të gjitha. Kërkon tifozërinë, impenjim të madh, atmosferë, dëshirë për të luajtur. Një derbi fitohet duke mos parë fare se ku je në renditje.

Kush është më i avantazhuar në këtë ndeshje?

Është 50-50 gjithmonë. Tirana është më e qetë, por kjo ka edhe anën e vet negative, sepse mund të mos mobilizohesh 100%. Partizani nuk ka alternativë tjetër përveç fitores.

Cili nga trajnerët ka presion më të madh?

Derbi gjithmonë ka presion, por Shehi e ka arritur objektivin e vet. Presionin më të madh e ka Mehmeti, sepse ende nuk e ka arritur objektivin dhe ndeshja i shërben për ta bërë këtë. Shehi e ka fituar titullin. Gjithsesi, do të ishte një minus për të nëse nuk fiton derbin, sepse tifozët duan ta fitosh titullin me shkëlqim, duke mundur edhe rivalin kryesor. Për Tiranën më shumë ky derbi është për tifozët, jo për pikët, as për objektivin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb