Kreu i Kadastrës, Artan Lame deklaroi se deri në fund të këtij viti pritet që të mbyllet procesi i regjistrimit të tokave në bregdetin e Jugut.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lame tha se kjo gjë do të ndodh pas 107 vitesh, që nga koha e pavarësisë së Shqipërisë.

“Nuk ka akuza për një rast të vetëm të tjetërsimit të regjistrimit. Këtë e them me krenari. Pardje u afishuan 2 zona të reja në Lukovë. Nxirret harta e Lukovës, e përfunduar, nxirret lista e përfituesve dhe për 45 ditë kanë afat që të kontrollojnë provën dhe pas këtij afati përpunohen dhe lëshohen certifikatat. Kjo po vazhdon në të gjithë bregdetin e jugut. Besoj që nga fundi i vitit mbaron pas 107 vitesh pavarësi, regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut.”, -tha Lame.

Mes të tjerash kreu i Kadastrës tha se qendrat e qyteteve kanë ndjeshmëri më të madhe dhe duhet të verifikohen nëse ka edhe disa raste kur nuk duhet të legalizohen.

“Mesi i Tiranës, apo mesi i Durrësit, apo i Fierit, i Korçës, nuk janë vende ku duhet të legalizojmë, por janë vende ku duhet pastruar. ALUIZNI prodhon 2 mijë e 500 leje legalizimi në muaj. Ne qendrat e qyteteve duhet të vijojmë të spastrojmë shtesat që bllokojnë një trotuar apo një kalim. Ndaj ecet me ngadalë në pjesën tradicionale të qytetit. Çështja e pallateve është më siklet. Në çdo javë legalizohen 2-3 pallate. Këtë javë të jap 2 pallate në Dajt dhe dy objekte në njësinë 6. Pra çdo javë ka pallate që vijon legalizimi. Procesi i pallateve është proces i shtuar për Kadastrën. Ka ende shumë pallate pa legalizuar, ku disa objekte kanë shkelje në leje. Me ndërtimet pa hipoteka ka dy probleme, aftësia e shqiptarëve për të krijuar probleme tejkalon mundësinë e administratave në mbarë botën. Nëse do të flasim për probleme, për dhimbje koke, në Kadastër, nuk janë këto.”, pohoi ai.

Duke u ndalur te ligji 7501, Lame tha se; “Ajo është një nga akuzat që na është bërë. Ligji 2020 zgjidhi një pjesë të mirë të të gjitha problematikave që kishte mbartur legjislacioni tjetër. Vjet u dhanë 18700 certifikata të tokës bujqësore. Ky ritëm duhet të vazhdojë që të mbyllet masa e regjistrimit të tokës bujqësore.”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb