Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së për Qarkun e Tiranës, gjatë protestës së thirrur nga opozita para Bashkisë së Tiranës, nuk ka kursyer akuzat ndaj Prokurorëve të SPAK.
Gjithashtu, Këlliçi ka hedhur akuza edhe ndaj Carlo Bollinos i cili sipas tij është bërë pronar i mbi 4 mijë m2 në pronat e familjes Begeja.
Këlliçi tha se Bolino po na del edhe ndërkombëtar edhe tirons i vjetër, i cili sulmon pronarët legjitimë, sepse ka mentalitet komunist. “Bolino është i vetmi ndërkombëtar që po sulmojmë ne, ai është italian, por po na del edhe tirons i vjetër, përderisa na del si pronar në mbi 4 mijë metra në pronat e familjes Begeja. Tani Bolino sulmon pronarët legjitimë në Tiranë, që kërkojnë pronën e tyre”, tha Këlliçi.
Në vijim ai u shpreh se “Dritan Prençi, Prokurori i SPAK, i cili prej 4 vitesh ka nën hetim dosjen e inceneratorit të Tiranës, nuk e sheh ky firmën e Erion veliajt?”.
“Me çfarë i ushtron presion Erion Veliaj këtyre prokurorëve të SPAK? Mos vallë me dosjen e atij prokurorit të Vlorë që është arrestuar? Mos vallë në atë dosje kemi edhe emrat e prokurorëve të SPAK.
Flitet se janë paguar 3 mln euro që janë paguar për të shpëtuar Erion Veliajn. E kuptoni se për çfarë drejtësie flasim? Nuk kemi parë në drejtësi të tillë në asnjë vend të Botës, një drejtësi me dy standarde.
Prokurorët janë peng të Erion Veliajt. Kjo mënyrë vjedhjeje që ka instaluar Erion Veliaj në Bashkinë e Tiranës është i pashembullt në Botë, ndërsa Altin Dumani e quan krim intelektual dhe vazhdon të godasë opozitën”, tha Këlliçi.
Ai paralajmëroi vijimin e protestave të opozitës para Bashkisë së Tiranës, duke i cilësuar ato si një qëndresë e qytetarëve prej 26 javësh.
Këlliçi gjithashtu njoftoi se javën e ardhshme protesta para Bashkisë do të mbahet ditën e mërkurë, pasi besimtarët myslimanë e kanë kërkuar një gjë të tillë, për shkak se ditën e premte kryejnë ritin e faljes në xhami.
“Ne do e respektojmë këtë kërkesë të tyre”, tha Këlliçi, duke bërë të ditur se javën e ardhshme protesta do të mbahet ditën e mërkurë.
(BalkanWeb)